Masakra e Selenicës, Policia: Më shumë se 4 autorë në krim

Në masakrën e Selenicës kanë qenë më shumë se 4 autorë. Policia e Vlorës pohoi dje se është arrestuar ekzekutori kryesor, i cili mbeti i plagosur në ngjarje, janë shpallur në kërkim dy persona dhe po punohet për identifikimin e të tjerëve. Me anë të një njoftimi zyrtar, Policia e qytetit bëri të ditur arrestimin e shtetasit 36-vjeçar Fatmir Petraj, (i njohur dhe si Sako Xhaferri) dhe i cilësuar si autori kryesor i vrasjes së Baftjar Llanajt, në pritën që iu zu atij në rrugën nacionale Selenicë-Vlorë. Petrajt i janë vënë prangat në Spitalin Ushtarak, ku mbërriti mbrëmjen e së martës, pasi mbeti i plagosur nga breshëritë e automatikut që u qëlluan nga të pranishmit në krim. Nga hetimi mbi ngjarjen e rëndë rezulton se në vend kanë qenë dhe persona të tjerë, të cilët, sipas Policisë, janë identifikuar. Ata janë të afërm të Petrajt që kanë marrë pjesë në ekzekutimin për hakmarrje të 62-vjeçarit Llanaj. “Arrestimi i këtij shtetasi është bërë pasi dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë, dy prej tyre të identifikuar dhe të shpallur në kërkim, kanë vrarë shtetasin Baftjar Llanaj, 62 vjeç, lindur në Selenicë dhe me banim në qytetin e Vlorës. Sipas hetimeve paraprake rezulton se vrasja është bërë për shkak të hakmarrjes”, konfirmon Policia. Vdekja e babait të Petrajt, si pasojë e dhunës fizike të ushtruar nga ana e Llanajt, ndërsa vëllai humbi njërin sy. Deri tani, për shkak të gjendjes shëndetësore të të plagosurit, nuk është arritur të merret dëshmia e plotë e tij.
(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment