Marrëveshje të panënshkruar?

Nuk është e lehtë të nxirren hollësi rreth asaj se çfarë po ndodh në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës nën ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel, ku së shpejti priten edhe rezultatet e para të tij.

Palët, ndonëse thonë se kanë qasje konstruktive, japin ende deklarata kundërthënëse.

Beogradi insiston se nuk do të nënshkruajë asnjë dokument me Kosovën, sepse nuk dëshiron të japë asnjë shenjë se mund të pranojë atë në mënyrë eksplicite apo implicite si shtet, shkruan Koha Ditore.

Edhe vetë shtetet e BE-së që duan të dinë më shumë rreth asaj që ndodh në dialog, varen nga informatat që japin nga Zyra e Robert Cooper apo nga përfaqësuesit e Beogradit e Prishtinës.

Tash, sipas burimeve të BE-së, janë duke u shqyrtuar modalitetet se si Beogradit dhe Prishtinës t’u lehtësohet pranimi i kompromiseve dhe këtu del në shesh roli “lehtësues”i Bashkimit Evropian.

Për t’i dalë në ndihmë Beogradit, BE-ja si “lehtësuese” e dialogut, kur të ketë pajtim të palëve, do të formulojë një deklaratë ku do të thuhet se për çfarë janë pajtuar, por nuk do të ketë marrëveshje që duhet të nënshkruhet nga palë, ndër të cilat dy palë (BE-ja dhe Serbia) nuk e pranojnë Kosovën si shtet dhe si subjekt që mund të nënshkruajë marrëveshje.

As Serbia e as BE-ja nuk mund të bëjnë nënshkrim në ndonjë marrëveshje, ku Kosova do të figuronte si shtet, ndërsa Kosova është vështirë që do të pranonte që në emër të saj apo bashkë me të, një dokument eventual ta nënshkruajë edhe UNMIK-u. 
(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment