Hernandez nuk ndalet

Sulmuesi i Manchester Unitedit, Javier Hernandez nuk e ka ndërmend të ndalet pas shkëlqimit në sezonin e tij debutues në Angli. Hernandez, aktualisht i angazhuar në Gold Cup me Meksikën, shënoi 20 gola për Djajtë e Kuq, në edicionin 2010/11, pas ardhjes nga Guadalajara, verën e kaluar dhe i ndihmoi ekipit të fitojë titullin në Premierligë dhe të arrijë në finale të Ligës së Kampionëve. Ai nuk planifikon të jetë mrekulli e një sezoni.

“Jam shumë i lumtur që si ekip ne fituam Kampionatin anglez. Kjo është një gjë e mrekullueshme, e sidomos për faktin se gara ishte e fortë. Chelsea, Arsenal e madje edhe Manchester City luftuan deri në fund, por ne asnjëherë nuk dyshuam në fuqinë tonë. Ekipi ynë ka frymë dhe shpirt të hatashëm. Suksesi është i shkruar në gjakun e këtij klubi. Jam në klubin më të mirë në botë. Gjithçka bëhet për sukses dhe fitimin e titujve. Është vetëm humbja në Ligën e Kampionëve ajo që la shije të keqe te ne”, tha 23-vjeçari për të përditshmen sportive franceze, L’Equipe.

“Personalisht jam jashtëzakonisht i lumtur, por nuk ndalem në arritjet e deritashme. Dua të paraqitem edhe më mirë në sezonin e ardhshëm. Dua t’i ndihmoj këtij klubi të krijojë histori”, shtoi ai. Hernandez pranoi se kuota e shënimeve e ka befasuar edhe vetë atë.

“Në fillim të sezonit, mendoja se do të kem kohë të kufizuar, ose më mirë të them, shumë pak minuta lojë. Për më së miri, mendoja se sezoni im do të jetë inkuadrimi në minutat e fundit të ndeshjeve në përpjekje për të zhbllokuar ndonjë situatë të komplikuar.
Thjesht, synimi i sezonit ishte adaptimi në Premierligë, sidomos në aspektin fizik. Por, gradualisht kam fituar minutazh dhe fillova të ndihesha optimist me shënimin e disa golave në fillim të edicionit. Gjithçka shkoi shumë shpejt, nuk kam mundur të shpresoj për më tepër. Ishte sezon i ëndrrave”, u shpreh ai.

Hernandez thotë se fitorja 2-1 e ekipit të tij në Stoke, më 24 tetor, ishte koha kur ai u ndie shumë rehat si futbollist i Manchester Unitedit.

“Kjo ishte ndeshja që më bëri të kuptoj se mund të kem një sezon të mirë. Ishte ndeshja kundër Stoke Cityt, ku shënova dy herë. Gjatë ndeshjes, jam ndier shumë rehat. Ndihesha sikur luaj për Manchester Unitedin që 10 vite. Falë bashkëlojtarëve të mi mund të shprehem lirshëm në fushë. Mendoj se kjo ishte ndeshja kryesore e sezonit tim. Do ta kujtoj gjatë gjithë jetës”, përfundoi Hernandez.
(gazetaexpress.com)

No comments:

Post a Comment