Inspirohet nga yjet

Fatmire Bajramaj është njëra prej lojtareve më të mira në botë. Për të arritur deri këtu, futbollistja kosovare e ka ndjekur rrugën e yjeve të ndryshme të futbollit botëror, në konkurrencën e meshkujve. Ajo inspirohej nga legjenda franceze, Zinedine Zidane, ndërsa tash merr mësim nga lojtarët aktualë.

“Më parë e kam shikuar shumë Zidanen. Kurse, sot i ndjek me kujdes lojtarët si Lionel Messi, Arjen Robben, Franck Ribery e Cristiano Ronaldo, të cilin e pëlqej”, tha Bajramaj në një intervistë për të përditshmen austriake Kurier.

Ndërkohë, futbollistja nga Gjurakoci i Istogut ka folur edhe për vështirësitë në të cilat hasi në fëmijëri, kur e mori rrugën drejt Gjermanisë bashkë me familje, si refugjatë nga Kosova. Ajo nisi të luante si 5-vjeçare, kur shkoi me familje në Gjermani.

“Nuk ishte e vështirë të luaja futboll, pasi këtë e bëja së bashku me vëllezërit, e mbi të gjitha kur bëhet fjalë për një vend si Gjermania, ku futbolli është numër 1. Nuk kam pasur probleme serioze, për shkak të fesë sime. Por, është e qartë se, në lagjen time, kishte persona që më ngacmonin. Jam përballur edhe me racizëm, kur kemi shkuar në fillim në Gjermani. Isha thellë e zhgënjyer dhe e mllefosur”, shton ajo.

23-vjeçarja thotë se nuk ka probleme asnjëherë me ‘Paparazzi’, por e pranon se ka raste kur njerëzit e njohin në rrugë dhe kërkojnë të dalin në fotografi, ose ndonjë autograf. Ajo shton se popullariteti i futbollit të femrave në Gjermani është gjithnjë në rritje.

“Organizimi i Kampionatit Botëror luan rol të rëndësishëm në Gjermani. Mos harroni se futbolli i femrave në Gjermani është zhvilluar falë suksesit të viteve të fundit, një rëndësi kjo me theks të veçantë. Kombëtarja ishte dy herë kampione e botës, shtatë herë kampione e Evropës, fituese në Olimpiadë, suksese me klube etj”, shton ajo.

Disa prej lojtareve gjermane kanë pranuar të pozojnë të zhveshura për revistën e njohur amerikane ‘Playboy’. Kurse, Bajramaj e ka konfirmuar edhe një herë se nuk do ta bëjë një gjë të tillë kurrë.

Edhe pse ka famë botërore dhe është njëra prej tri futbollisteve më të mira në botë, Bajramaj e pranon se e pyet shpesh veten se pse migroi drejt Gjermanisë në vitin 1993. Po të qëndronte në Kosovë, ajo nuk beson se do të merrej me futboll, pasi që thotë se do t’u përkushtohej fushave të tjera.
(gazetaexpress.com)

No comments:

Post a Comment