Malaj: PS të qartësojë ofertën për publikun

Anëtari i Kryesisë socialiste, Arben Malaj, gjatë fjalës së tij në Asamblesë Kombëtare kërkoi hapjen e saj ndaj intelektualëve, duke hequr të gjitha barrierat që e pengojnë. “Partia Socialiste ka qenë një parti e hapur, tani duhet të diskutojmë për cilësinë e hapjes, kjo është sfida jonë. Që të rrisim përfitimet politike të hapjes së partisë, ne duhet të qartësojmë qëndrimin e saj ndaj institucioneve kushtetuese, së pari, duke marrë pjesë në Parlament. Nëse nuk tregojmë që jemi një parti institucionale, hapja jonë do të jetë e vështirë, dhe jo produktive”, u shpreh Malaj. Sipas tij, PS duhet të heqë të gjitha pengesat që e mbajnë atë të mbyllur. “Eliminimin e klaneve mbi interesa të caktuara; eliminimin e nepotizmit në strukturat partiake dhe qeverisjen vendore dhe qendrore; eliminimin e pushteteve të përqendruara në pak duar në strukturat politike të PS dhe qeverisjen vendore e qendrore; eliminimin e pushteteve të tejzgjatura në strukturat politike dhe të qeverisjes vendore dhe qendrore”, propozoi Malaj në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare. Malaj kërkoi që “PS të qartësojë ofertën publike jo thjesht për maxhorancën, por për opinionin publik”. “Ne na duhet një ofertë publike për reformat jetike të vendit, një ofertë për publikun, ndaj të cilit duhet të hapemi, dhe jo një pazar jopublik me maxhorancën, siç ndodhi me ndryshimet e Kushtetutës në vitin 2008”, u shpreh Malaj. Anëtari i kryesisë socialiste kërkoi reformë kushtetuese. “Ne duhet të iniciojmë një reformë kushtetuese, sepse jemi fajtorë për ndryshimet e bëra në të në vitin 2008, që cenuan rëndë ndarjen dhe balancën e pushteteve. Analiza dhe rekomandimet e profesor Luan Omarit në librin e tij ‘Ndarja e pushteteve dhe pavarësia e institucioneve kushtetuese’ janë një pikënisje shumë e mirë. Ne duhet të kërkojmë një reformë të re zgjedhore. Nuk jam dakord me vlerësimet se sistemi zgjedhor është shumë i mirë dhe se thjesht ai ka nevojë për disa përmirësime administrative”, u shpreh Malaj.


(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment