Idrizi: PDIU, forcë e tretë në qytete

Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, tha dje se kjo parti doli forcë e tretë në qytetet kryesore të vendit në zgjedhjet e 8 majit.Para strukturave drejtuese të saj dhe të zgjedhurve vendorë, PDIU bëri një analizë të këtyre zgjedhjeve, ku kreu i saj tha se PDIU arriti një rezultat spektakolar, nga Jugu, ku u shpall forcë e parë në Delvinë, e deri në Veri, ku u shpall forcë e dytë në Tropojë. Sipas tij, ky rezultat i veçantë ka gjeografi: ai është arritur nga Jugu në Veri, nga Lindja në Perëndim. Nga Tropoja në Konispol, nga Korça në Durrës. Nëse s’do të ishit ju sot, PDIU-ja, nuk do të arrinte rezultatin më spektakolar të një partie të re në historinë e pluralizmit shqiptar. “Në pak më shumë se një vit histori funksionimi si parti politike, ne arritëm të afirmohemi si parti e tretë në qytetet më të mëdha të Shqipërisë, si parti e parë në disa bashki dhe komuna, një rezultat surprizë për të gjithë. Rezultati ynë do të ishte shumë më i madh nëse 1) ne do të kishim pasur mundësi të krijonim strukturat tona të lehta në të gjithë territorin sipas parimeve të një partie elektorale. 2) Rezultati ynë do të ishte shumë më i madh, nëse ne do të kishim prani në numërimin apo në vëzhgimin e zgjedhjeve. Jam i lumtur që jam sot mes jush, fitimtarëve të vërtetë, të dërguarve të vërtetë të popullit. Të besuarve të popullit”, tha Idrizi. Më pas, kreu i PDIU-së parashtroi nismat e kësaj partie për periudhën në vijim, duke vendosur theksin te regjistrimi i popullsisë mbi baza etnike dhe fetare, për të cilën u shpreh kundër. Idrizi u bëri thirrje institucioneve shtetërore që ta ndalojnë këtë lloj regjistrimi, ndërkaq paralajmëroi edhe reagim të mëtejshëm nëse nuk arrihet diçka e tillë. “Ne do ta vazhdojmë betejën tonë publike dhe në Parlament për ndryshimin apo heqjen nga formulari i regjistrimit të popullsisë, pyetjet e ashtuquajtura fakultative për etninë dhe fenë, të cilat jo vetëm qe nuk janë një standard europian dhe nuk janë kusht i BE, por cenojnë rëndë sovranitetin e vendit tonë dhe prekin një nga vlerat më të mëdha të kombit tonë, harmoninë fetare. I bëj thirrje Komitetit shtetëror të Regjistrimit dhe Institutit të Statistikave të dëgjojnë zërin e arsyes dhe të gjithë shqiptarëve”, deklaroi kreu i PDIU-së.

Tahiri

Deputeti i PDIU, Dashamir Tahiri, tha dje se PDIU do të jetë pjesë e këtij koalicioni edhe në vijim. “Sot ne jemi më të fortë se kurrë, sepse arritëm rezultate të kënaqshme në të gjithë vendin. Ne kemi qenë pjesë e koalicionit “Aleanca për qytetarin” dhe do të vazhdojmë të jemi pjesë e maxhorancës aktuale, me suksese të mëtejshme të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, gjithmonë në krah të aleatit tonë”, tha Tahiri.


 (panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment