Limaj: Po më linçojnë

Ish-ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, thotë se ndaj tij po zhvillohet procesi i “linçimit publik”. Drejtësia në Kosovë, sipas tij, po vepron në mënyrë selektive dhe si në kohën e komunizmit.

Në një intervistë ekskluzive dhënë për gazetën “Zëri”, Limaj thotë se vendi ynë ka nevojë për një drejtësi perëndimore, ku në fund do të fitojë e vërteta.

“Ky është linçim publik dhe nuk ka të bëjë asgjë me drejtësinë. Në të kaluarën, në sistemin komunist kur ju keni dashur ta rrënoni një personalitet, ka mjaftuar një propagandë e linçimit publik dhe ka përfunduar në burg”, thotë Limaj.

Ish-ministri i Transportit nuk ka dashur ta komentojë shkuarjen e kryeprokurorit të EULEX-it, Wreeswijk, por është shprehur i bindur se akuzat e ngritura ndaj tij për korrupsion janë të pabaza. “Unë vazhdoj të mbaj atë qëndrimin që kam pasur qëkur kam qenë në Ministrinë e Transportit. Nuk do të mund të gjejnë asnjë gjë që është kundërligjore ose keqmenaxhim, ose keqpërdorim të fondeve dhe pres që këtë ta thotë edhe EULEX-i”, është shprehur Limaj.

Ish-komandanti i UÇK-së ka folur edhe për akuzat e ngritura për zhvillimet që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë. Duke mos hyrë shumë në detaje të ngjarjeve që kanë ndodhur në atë kohë, ai ka thënë se drejtësia në fund do ta thotë të vërtetën.

Limaj ka folur edhe për qeverisjen Thaçi II, ku nuk munguan kritikat e shumta. Sipas tij, deri tani kjo qeverisje nuk ka dhënë rezultatet e duhura.

“Kjo qeveri nuk është ndërtuar mbi prioritete, por mbi bazën e interesave të individëve”, tha Limaj, duke shtuar se përgjegjësinë për sukses ose mossukses e ka kryekëput kryeministri Hashim Thaçi. Ai e ka mohuar mundësinë e krijimit të një partie të re që do të përbëhej nga disa njerëz të PDK-së, si Limaj, Jakup Krasniqi dhe të tjerë të pakënaqur brenda partisë.

Ish-ministri parashikon se Kosova këtë vit do të jetë në suficit, që siç e quan ai të rrejshëm, derisa viti 2012 dhe 2013 do të jenë vite të krizës për Kosovën. Limaj si rrezik të madh për Kosovën e sheh synimin e Serbisë për të nxjerrë një status special për serbët e Kosovës, e cila autonomi do ta paralizonte shtetin tonë. (Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment