Kujt t’i besohet

Pas përfundimit të sulmeve ajrore ndaj Serbisë, para 12 vjetësh, qytetarët e Kosovës i kanë pritur ushtarët e NATO-s si heronj dhe çlirimtarë. Mbërritja e tyre ka shënuar edhe tërheqjen e forcave të Slobodan Milosevicit, duke lejuar kështu rikthimin në shtëpitë e tyre të mbi 800 mijë refugjatëve.

Mirënjohja e kosovarëve për NATO-n ka bërë që ata të mos i kuptojnë krejtësisht paralajmërimet e bëra nga ekspertë të huaj për rrezikun e bombave me uranium të varfëruar të hedhura nga aleanca veriatlantike mbi caqet e ushtrisë serbe. Kur filluan të qarkullojnë zërat e parë mbi rrezikun e uraniumit të varfëruar, qytetarët i hodhën poshtë ato si propagandë e serbëve. Qëndrimi i përgjithshëm në atë kohë ishte një përzierje ironie dhe indiference.

Por një Raport për Hetimet Nukleare nga Universiteti “Berkley” nga Kalifornia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për radioaktivitetin e uraniumit të varfëruar në Kosovë, nxjerr të dhëna alarmante edhe tash, pas më shumë se një dekade nga lufta. Sipas statistikave të tyre, uraniumi i varfëruar është ende duke rrezatuar në një masë prej 107 herë më shumë sesa që është e lejuar.

Vendet më të mëdha nga këto rrezatime, sipas hulumtimit, janë disa fshatra në Gjakovë dhe Pejë. Sipas raportit, dëmet ekologjike do të vazhdojnë të mbesin edhe për vite të tjera, derisa fuqia rrezatuese për deformimin e gjeneve të njeriut, tashmë e ka humbur fuqinë. Mirëpo ekspertët në Kosovë thonë ndryshe. Kompania që merret me matjen e radioaktivitetit dhe materie të rrezikshme në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës, bën shpesh matjet nëpër terren dhe nga hulumtimet e nxjerra rezulton se prania e uraniumit të varfëruar është prezente në Kosovë në suaza të normales.
(gazetaexpress.com)

No comments:

Post a Comment