Lidington: Kosova – kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj gjatë qëndrimit në Luksemburg është takuar të hënën me Ministrin për Evropë të Mbretërisë së Bashkuar, Dejvid Lidington.
Ministri britanik ka shprehur përkrahjen e plotë të Mbretërisë së Bashkuar për shtetndërtimin e gjithanshëm të Republikës së Kosovës, me theks të veçantë në aspektin e forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar.

Lidington ka thënë se Qeveria britanike do të angazhohet fuqishëm brenda Bashkimit Evropian dhe më gjerë, për përmbylljen e suksesshëm të procesit të njohjes së Kosovës.
Lindington
Ai është zotuar për ndihmë konkrete edhe në avancimin e aspekteve të tjera të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, përfshirë pjesëmarrjen në nisma dhe anëtarësimin e plotë në organizata rajonale dhe ndërkombëtare.
“Ne do të mbështesim Republikën e Kosovës që të ketë sa më shumë njohje dhe të jetë pjesë e nismave rajonale dhe ndërkombëtare”, ka thënë Lidington.
Ministri britanik, po ashtu, ka kërkuar rezultate konkrete nga dialogu teknik mes Kosovës dhe Serbisë, i cili po zhvillohet në Bruksel, duke shprehur qëndrimin se procesi i integrimit të Serbisë në BE mund të bëhet vetëm në rast se ky shtet do të ndërtojë marrëdhënie të mira fqinjësore me Republikën e Kosovës.
Në anën tjetër, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj e ka informuar ministrin Lidington për progresin e vazhdueshëm të Kosovës, reformat e brendshme shtetndërtuese dhe avancimin permanent të pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.
Hoxhaj ka kërkuar nga Ministri Lidington vazhdimin e përkrahjes së jashtëzakonshme të Mbretërisë së Bashkuar në procesin e njohjeve për Republikën e Kosovës, në proceset integruese në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat e tjera rajonale dhe ndërkombëtare.
Ministri Hoxhaj, gjatë pjesëmarrjes në punimet e Forumit për Ballkanin Perëndimor në Luksemburg, ku është ftuar nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Baronesha Catherine Ashton, po zhvillon takime të frytshme me shumë ministra të jashtëm të vendeve të BE-së, të vendeve të rajonit dhe përfaqësues të tjerë të lartë evropianë, të pranishëm në këtë forum.



(kosovapress)

No comments:

Post a Comment