Zbulohet “dushku” i 8 Majit, PS-PD në 210 qendra me 0 vota

Zgjedhjet administrative të 8 Majit kanë sjellë edhe një tjetër surprizë sa i takon shpërndarjes së votave. Nga të dhënat e deritanishme në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve konstatohet se numri i kutive ku Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë nga zero vota është rritur ndjeshëm krahasuar me proceset e mëparshme.
Forcat e mëdha politike kanë gjetur mënyrën për të transferuar votat në një formë “dushku” drejt partive të vogla pjesëtare të koalicionit të tyre. Rezulton se Partia Demokratike numëron zero vota në 110 kuti votimi, ndërsa Partia Socialiste në 100 të tilla në shtrirje nga veriu në jug të vendit. Nga analiza e të dhënave zyrtare konstatohet gjithashtu se në 27 kuti dy forcat më të mëdha politike nuk kanë arritur të marrin asnjë votë.

Një fakt ky paradoksal duke patur parasysh se secila prej tyre ka komisionerë në çdo qendër votimit, pavarësisht ku ndodhet ajo. Në total, në rang vendi, janë 4882 qendra votimi, në të cilat zgjedhësit kanë hedhur votën më 8 Maj. Nga vëzhgimi i kryer prej “Mapo” rezulton se kryesisht kutitë ku dy partitë e mëdha kanë pak vota ose zero i përkasin komunave dhe më pak bashkive. Në varësi të komunave dhe qendrave të votimit shihet se, kur “shfryhet” partia e madhe, ndodh një fryrje në vota e partive të vogla. I njëjti tregues në fakt pasqyrohet edhe në rang vendi, ku në zgjedhjet lokale ndodh që partitë e vogla të grumbullojnë shifra të mëdha votash dhe partitë e mëdha ulen në numër krahasuar me zgjedhjet parlamentare. Vota e partive të koalicioneve respektive bashkohet te kandidati që garon në mazhoritar, por në proporcional kryhet shpërndarja nga partia e madhe te të vegjlit. Këta të fundit janë të interesuar për të zgjeruar votat në proporcional, për shkak të garës në këshillat bashkiake.




(www.mapo.al)

No comments:

Post a Comment