Lëndët me zgjedhje, ndryshon skema e vlerësimit të testit

Provën përmbyllëse të Maturës nxënësit e gjimnazeve e kanë për pak ditë. Më 30 qershor ata i nënshtrohen njëkohësisht dy lëndëve me zgjedhje.Ndryshe nga vitet e mëparshme, kur këto lëndë preferenciale i jepnin vetëm ata që do të konkurronin në universitet, këtë vit do t’i japin të gjithë maturantët. Në të kundërt, nuk pajisen më Diplomën e Maturës. Specialistët e Ministrisë së Arsimit kanë vendosur që të ketë një skemë të re të vlerësimit të nxënësve. Ajo lidhet drejtpërdrejt me pyetjet që do të përmbajë testi. Nga 25 pyetje që ka pasur çdo vit një test, sivjet do të ketë 20 pyetje për çdo provim, Z1 dhe Z2. Nga këto, 10 pyetje do të jenë me përgjigje alternative. Më shumë pikë do të kenë pyetjet me zhvillim. Për 10 pyetje specialistet kanë menduar 30 pikë në vlerësim. Ndërsa pyetjet me alternativa në total grumbullojnë 10 pikë. Pra, gjithsej, çdonjëra nga tezat e provimeve me zgjedhje do të ketë maksimalisht 40 pike. Sipas përllogaritjeve, një maturant duhet të marrë 100 pikë për të dy provimet me detyrim dhe 80 pike për të dy provimet me zgjedhje. Një maturant që i plotëson mirë të gjitha pyetjet e të 4 provimeve gjithsej, mund të marrë 180 pikë maksimale. “Pyetjet do të jenë të gjitha brenda programeve orientuese dhe maturantët do të kenë 4 orë kohë në dispozicion të tyre për të plotësuar dy testet”, sqarojnë specialistët e Ministrisë. Në bazë të koefiçentëve që janë vendosur për çdo degë dhe të formulës që tashmë nuk ndryshon, duke mbledhur notat e provimeve të detyrueshme dhe të atyre me zgjedhje e duke i shumëzuar me koefiçentët përkatës, llogariten edhe pikët për çdo degë. Për të bërë zgjedhjen e duhur, maturantët duhet që këtë llogari ta bëjnë vetë paraprakisht. Në këtë mënyrë do të shohin se ku kanë më shumë shanse për të fituar. Ndryshe nga një vit më parë, formulari A1 me anë të së cilit në muajin mars maturantët zgjodhën 2 lëndët me zgjedhje, këtë vit kishte 17 të tilla. Shtimi i këtyre lëndëve erdhi si rezultat i kalimit të provimeve me zgjedhje të detyrueshme. Nga sa kanë vendosur specialistët e Ministrisë së Arsimit, në test do të ketë hapësirë për nxënësit e dobët, ata mesatarë dhe nxënësit e mirë dhe shumë të mirë. Kështu, të gjithë maturantët, të cilët hyjnë në kategorinë e nxënësve të dobët, do të kenë pyetjet e nivelit të tyre. Në masën 40 për qind, AVA do të përgatisë pyetje pikërisht për këtë nivel, i cili korrespondon me nivelin e tretë ose nxënësit më të dobët. Niveli i dytë, ku hyjnë nxënës mesatarë, do të zërë në teste plot 80 për qind të totalit të pyetjeve. Niveli i parë ose niveli i nxënësve të mirë dhe shumë të mirë, do të ketë 100 për qind hapësirë në test. Testimi për lëndët me zgjedhje do t’i përmbahet programeve orientuese, të cilat prej muajsh maturantët i kanë në duar.

Formulari A2,pas notave te te 4 provimeve

Maturantët do të plotësojnë formularin A2 vetëm pasi të kenë marrë notat e 4 provimeve të Maturës. Ministria e Arsimit ka këshilluar që të mos nxitohen, por, me të marrë notat, të bëjnë një llogaritje paraprake të pikëve. Në këtë mënyrë, ata do të shohin se ku kanë më shumë shanse për të fituar. Preferencat për degët e fakulteteve ku duan të ndjekin studimet do t’i vendosin sipas një rendi zbritës, nga më e preferuara, në më pak të dëshiruarën prej tyre. Zgjedhja e 10 degëve është kusht, pasi në të kundërt, formularit A2 nuk i njihet vlefshmëria. Ministria e Arsimit pritet të publikojë formularin A2 të këtij viti në mes të korrikut, kur do të shpërndahet në shkollat e mesme.

30 qershor është data kur të gjithë maturantët do të japin provimet për lëndët me zgjedhje. Këto lëndë janë prova e fundit e Maturës.

Koefiçentët

Fizike 1.4
Kimi 1.3
Biologji 1.3
Histori 1.1
Gjeografi 1.1
Njohuri për
shoqërinë 1.1
Ekonomi,
Filozofi 1.3
Gjuhë angleze 1.4
Gjuhë frënge 1.1
Gjuhë italiane 1.1
Gjuhë gjermane 1.1
Gjuhë spanjolle 1.1
Histori muzike 1.0
Harmoni 1.0
Histori arti 1.0
Anatomi 1.0
Histori baleti 1.0
(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment