Kuzhe s’përmbahet: Barazimi? Preferoj fitoren!

Kroati shfaqet me ambicie të mëdha: Mund të duket e pamundur, por mund t’i fitojmë edhe me Francën.


Përgjithësisht, në një skuadër futbolli, aq më tepër në kombëtare, trajneri është ai që frenon euforinë, ai që i mban futbollistët me këmbë në tokë, por ambiciet e Josip Kuzhes nuk kanë kufi: “Mund të duket e pamundur, por ne mund t’i fitojmë të dyja ndeshjet e radhës dhe të renditemi të parët.” Pastaj e kthen “pllakën”: “Merreni më mirë si shaka.”

- Si do të luajë Shqipëria ndaj Bosnjës?

- Me shumë ambicie për rezultat pozitiv. Ne kemi taktikën tonë, duke i kushtuar rëndësi mbrojtjes për shkak të kualiteteve që ka Bosnja, por do të tentojnë edhe në sulm për të shënuar dhe arritur rezulat pozitiv, duke pasur parasysh problemet që ka shfaqur kjo skuadër edhe në ndeshjen me Rumaninë.

- Tashmë e keni bërë traditë që para ndeshjes na tregoni formacionin titullar…?

- Do të luajmë me të njëjtën skuadër që mundi Bjellorusinë, me disa mdryshime të vogla që vijnë për shkak të rikthimit të Dallkut dhe Currit. Do të luajmë me këtë formacion: Ujkani, Dallku, Cana, Curri, Vangjeli, Lala, Bulku, Skela, Agolli, Salihi dhe Bogdani.

- Do të luajmë me dy sulmues të avancuar, apo Salihi disi më prapa?

- Në futbollin e sotëm skuadra janë shumë të organizuara, luajnë të gjitha në bllok. Që do të thotë se në lojën mbrojtëse marrin pjesë të gjithë futbollistët, duke përfshirë edhe sulmuesit. Ne duhet patjetër të mbrojmë me nëntë lojtarë, pra Salihi ose Bogdani në momente të veçanta do të rreshtohet në gjysmëfushën tonë.

- Duket sikur keni guxuar shumë që me Currin titullar, duke ditur që ka qëndruar gjatë jashtë fushave…?

- E kemi menduar gjatë këtë. Dua të theksoj se Teli ka luajtur në mënyrë të shkëlqyer në të gjitha ndeshjet. Ai më ka futur në mendime sesi mund t’i aktivizoj të dy (Teli-Curri) në të njëjtën kohë. Nuk kam kohë për të bërë eksperimente, duke futur njërin prej tyre në mesfushë.

Kam zgjedhur Currin pasi mendoj se fiziku i tij është më i përshtatshëm për të mbajtur Dzekon. I besova Currit, eksperiencës dhe shpirtit të tij luftarak, ndonëse pas qëndrimit të gjatë jashtë skuadrës mund të mos jetë në 100% të formës.

- Çfarë kuptuat nga ndeshja Rumani-Bosnjë?

- Sigurisht që e kemi ndjekur të gjithë bashkë dhe kemi patur një analizë për lojën e kundërshtarit tonë të radhës. Dalluam disa situata tipike të cilat i analizuam. U thashë futbollistëve të mi se nuk mund t’i përballojmë individualitet e Bosnjës me një lojë të organizuar, me motivimin maksimal dhe sigurisht me disiplinë taktike.

- E keni një plan B nëse Salihi nuk do të jetë në gjendje ta përballojë të gjithë ndeshjen?

- Sigurisht që e kam. Para stërvitjes së sotme (të djeshme) po mendoja se cili mesfushor mund të luajë më mirë në fazën sulmuese. Alternativat janë Duro, Bakaj dhe Lila.

- A është kjo ndeshja më e rëndësishme e sezonit? Të njëjtën gjë gjatë edhe para Bjellorusisë…?

- Duke parë situatën në grup, kuptohet se kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për ne. Po të shikojmë perspektivën, nëse fitojmë dy ndeshje radhazi renditemi të parët. Duket e pabesueshme që kjo do të ndodhë, por kjo është situata.

Gjithsesi, duhet të jemi objektivë. Jam munduar të krijoj një atmosferë pozitive, për të mos i vënë lojtarët nën presionin e rezultatit. Ne dëshirojmë t’u besojmë mundësive tona që të arrijmë diçka.

- Në mendimit tuaj, dy rezultatet e fundit në grup ishin negative apo pozitive për Shqipërinë?

- Ne në të vërtetë nuk e dinim se cili do të ishte rezultati pozitiv për në ndeshjen Rumani–Bosnjë. Nga njëra anë na pëlqente të kishim poshtë Rumaninë, por edhe të mos inkurajonim Bosnjën. Dëshironim gjithashtu që Bjellorusia të humbiste me Francën, sepse këtë të fundit nuk e konsiderojmë konkurrente.

Shikoni, nëse i fitojmë dy ndeshjet e radhës, do ta pëlqej humbja e Bosnjës dhe barazimin e Francës (kjo është shaka). Çdo gjë është e hapur dhe e mundur. Para se të nisnin këto eliminatore, kam deklaruar se mund të arrinim diçka dhe se të gjitha skuadrat do të linin pikë.

Tani unë them që Shqipëria duhet të lërë sa më pak pikë. Tani, pas pesë ndeshjesh, unë mund të bëj diçka më mirë në skuadër, por të njëjtën gjë mund të bëjnë edhe të tjerët. Duhet të shikojmë se çfarë mund të bëjmë në të ardhmen.

- “Xhemo” mori një pikë me Bosnjën, po ju a jeni dakord me një pikë?

- Barazimi nuk është rezultat i keq, por do të më pëlqente fitorja.

- Para një viti keni fituar me Malin e Zi, ndonëse miqësore, a mendoni se ka një ngjashmëri mes dy takimeve?

- E kam menduar këtë dhe jam përpjekur të bëj krahasime. Pse jo, mund ta përsëritim këtë rezultat./sportishqiptar/

(gazetatema.net)

No comments:

Post a Comment