Kundërshtohet ndarja e Kosovës

Serbia duhet të ketë kujdes me temat që kërkon të hapë në raport me Kosovën.

Ky është parlajmërimi i Qeverisë së Kosovës për zyrtarët e Serbisë të cilët pothuajse çdo ditë po flasin për idenë e ndarjes së Kosovës.

Madje, nëse Serbia vazhdon në këtë mënyrë zëvëndëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se edhe Kosova do të hapë tema siç është ajo për gjenocid, që gjeneratat do të ndiheshin me turp.

“Republika e Kosovës ka një territor unik dhe të pandashëm që është i garantuar me Kushtetutë dhe me akte ndërkombëtare. Serbia duhet të jetë e kujdesshme në hapjen e temave. Nëse do të shkojë me këtë temë, atëherë Kosova do të hapë tema që Serbia nuk do të donte dhe që do të bënin me turp gjeneratat e ardhshme serbe”, u shpreh Kuçi.

Në anën tjetër, çështja e Veriut të Kosovës, ku Prishtina zyrtare nuk e ka të shtrirë autoritetin e që është nën kontrollin e strukturave paralele të Serbisë, ka zgjuar gjatë së shtunës reagimin e subjektit të tretë politik, Lëvizjes Vetëvendosje. Në Vetëvendosje deklarojnë se Qeveria po dështon të kthejë nën autoritetin e saj pjesën veriore, edhe pse më parë ka miratuar një strategji që do të merrej ekskluzivisht me këtë çështje.

“Pafuqia e qeverisë kosovare për të shtrirë sovranitetin në tërë territorin e Kosovës na ka sjellë në këtë situatë”, deklaroi Xhelal Sveçla i lëvizjes “Vetëvendosje”.

“Qeveria do të angazhohet, por në asnjë rast nuk do të merren masa pa qenë në koordinim të plotë me faktorin ndërkombëtar. E ftoj opozitën të japë më shumë alternativa dhe të fyejë më pak”, replikoi Kuçi.

Kundërpërgjigja e Kuçit edhe ndaj opozitës erdhi me rastin e paraqitjes të punës së tij 100 ditore si Ministër i Drejtësisë. Ai paraqiti arritjet për këtë kohë dhe tha se deri në shtator dikasteri që drejton do t’i përmbushë të gjitha obligimet që dalin nga Raporti i Progresit.

Njëra nga sfidat për këtë ministri dhe për institucionet e tjera shtetërore mbetet kthimi i gjykatësve dhe prokurorëve vendorë në objektet e gjykatave që janë të vendosura në pjesën veriore.

Se kur do të ndodhë kjo, ende nuk dihet.
(top-channel.tv)

No comments:

Post a Comment