Kundërkorrupsioni punësoi hetues të papërvojë

Zyrtari i lartë për zbulim e hetime në Agjencinë Kundër Korrupsionit nuk i ka plotësuar kushtet e përcaktuara në konkursin e shpallur nga ky institucion. Këtë konstatim Zyra e Auditorit të Përgjithshëm e ka dhënë pasi që kandidati i rekrutuar nuk kishte ofruar referencë dhe dëshmi mbi përvojën e punës.

Raporti i Auditimit të Pasqyrave Financiare për vitin e kaluar përshkruan edhe shkelje të tjera gjatë punësimit të personelit në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Në konkursin për zyrtar të lartë për buxhet e financa ishte kërkuar që kandidati të ketë njohuri të mira në lidhje me buxhetin, financat dhe parimet buxhetore, shkruan sot “Koha Ditore”

“Ne kemi gjetur se komisioni vlerësues kishte eliminuar nga përzgjedhja kandidatin që kishte përvojë pune pikërisht në sektorin publik, në fushën e buxhetit dhe të financave”, thuhet në këtë raport të Auditimit.

Sipas këtij raporti, rekrutimi i stafit pa i respektuar kriteret e kërkuara me Ligjin mbi shërbyesit civilë nuk ofron siguri se Agjencia Kundër Korrupsionit ka bërë përzgjedhjen më të mirë të kandidatëve. Në këtë agjenci, sipas këtij raporti, janë evidencuar parregullsi edhe për sa i përket shfrytëzimit të automjeteve zyrtare.

Sipas auditorëve, kjo agjenci ka bërë shkelje edhe për sa i përket certifikimit të pagesave. “Certifikimi për pagesë i lëndëve të pakompletuara tregon për dobësitë e kontrollit të pamjaftueshëm financiar. Certifikimi i lëndëve jokomplete rrit rrezikun që të ndodhin pagesa pa bazën e duhur ligjore”, thuhet në këtë raport.

Pagesat për “servisimin dhe mirëmbajtjen e automjetit” në vlerë prej 2 mijë e 157 eurosh, sipas auditorëve, janë bërë në mungesë të specifikacionit të çmimeve.

“Për mirëmbajtjen e automjetit, AKK-ja shfrytëzon kontratën e një entiteti tjetër buxhetor, kontratë të cilës i mungonte specifikacioni i çmimeve. Si rrjedhojë e kësaj shërbimet e mirëmbajtjes të përfshira në faturë nuk janë verifikuar për saktësinë e çmimeve”, theksohet në raport.

Po ashtu, sipas auditorëve, raporti i pranimit të shërbimeve dhe rekomandimi për pagesë ishin bërë para datës së raportit të pranimit të automjetit nga autoservisi. Po ashtu edhe tek pagesa për “furnizime për material zyre” nuk ishte i kompletuar dokumentacioni i nevojshëm. Auditorët, sipas këtij raporti, nuk kishin gjetur dëshmi që AKK-ja ia kishte dorëzuar furnitorit kërkesat për furnizim me sasinë e artikujve të kërkuar, si dhe lëndëve u kishte munguar specifikacioni i çmimeve i dhënë në ofertë. 

(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment