Kuçi: Nuk kryejmë obligime për hir të grevës

Megjithëse pritej që Projektligji për vlerat e luftës së UÇK-së të miratohej në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, një gjë e tillë nuk ndodhi. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se ai projektligj është ende në përgatitje teknike, por shumë shpejt do të miratohet dhe do të procedohet në Kuvend.
Kuçi ka thënë se nga ana e Qeverisë së Kosovës çdo gjë është e qartë në raport me këtë projektligj dhe se ajo punon me strategji legjislative, e jo për hir të ndonjë proteste.
“Unë besoj që ne punojmë me strategjinë tonë legjislative në kuadër të kompetencave tona ligjore dhe mundësive tona buxhetore. Ne kemi dërguar ligjin në vitin e kaluar dhe jemi dëshmitarë të gjithë, ka kaluar leximi i parë është kthyer prapë dhe tani ka procedura që duhet t’i respektojmë. Por ajo çka mund të them është që ne kemi takuar ata, kemi biseduar, por i ftoj ata që të përgjigjen pozitivisht ftesës sonë, që të kthehen në shtëpi në familje, ndërsa obligimet ndaj tyre ne i kryejmë, jo për hir të ndonjë proteste, por për hir të obligimit tonë ndaj qytetarëve, ndaj atyre kategorive që kanë bërë shumë për vendin”, ka thënë Kuçi.
Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të mërkurën kanë mbajtur ditën e 31 të grevës së tyre, me kërkesën për miratimin e Ligjit për vlerat e luftës, ndërkaq premtimet e Qeverisë se do të procedohet së shpejti ky projektligj dhe garancia e Kuvendit se do ta miratojë sa më shpejtë që të jetë e mundur, nuk i ka bindur grevistët që ta ndërpresin grevën.

(kosovapress.com)



No comments:

Post a Comment