Kriza politike do gjëmojë.


Kanë kaluar gati dy muaj pasi votuesit shqiptarë iu drejtuan kutive të votimit në zgjedhjet lokale të 8 majit dhe beteja për kryebashkiak të Tiranës nuk është zgjidhur ende.
Fillimisht ne e kishim konsideruar kryetarin aktual në detyrë dhe drejtuesin e Partisë Socialiste, Edi Rama, me fitore të siguruar, por një seri rinumërimesh dhe sfidash ligjore e kanë hedhur rezultatin në pikëpyetje.

Në kohën kur po shkruhej kjo analizë, vendimi final është shtyrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i dëmtuar edhe ai nga dyshimet për manipulim të votave, për në Kolegjin Zgjedhor. Të dhënat më të fundit tregojnë se dy kandidatët, Edi Rama dhe sfidanti i tij nga Partia Demokratike, Lulzim Basha, ndahen me më pak se 100 vota, dhe ne besojmë se rezultati është tepër i ngushtë për të thirrur një fitues.

Megjithatë, pasojat e rënda të zgjedhjeve lokale të kontestuara ashpër mbeten në lojë. Mbi të gjitha, udhëtimi i parë drejt votës i qytetarëve shqiptarë që pas zgjedhjeve parlamentare të kontestuara të qershorit 2009, të cilat bënë që opozita të largohej nga Kuvendi duke pamundësuar kalimin e reformave kyçe, ka bërë pak për të zgjidhur dallimet politike, madje mund t’i ketë thelluar më tepër ato.

Së fundmi, ne besojmë se tensionet politike nuk po tregojnë ndonjë shenjë lehtësimi. Në të ardhmen e afërt nuk duket asnjë rezolutë e përbashkët për të zgjidhur ngërçin politik dhe kjo do të rëndojë mbi perspektivat për reforma e do ketë ndikim negativ tek ambiciet e Shqipërisë për anëtarësim në BE. Në të vërtetë gjendja e dobët e perspektivës së Shqipërisë për anëtarësim në BE mund të kuptohet edhe nga vendimi i Komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fyle, për të anuluar një vizitë në Shqipëri në periudhën e paszgjedhjeve kur u bë e qartë se atmosfera politike po helmohej më shumë.

Ndërsa dikur Shqipëria konsiderohej si një reformatoret kryesore dhe një kandidate për anëtarësim në BE nga rajoni i Ballkanit, tani ajo rrezikon të ngelet pas ndërsa ngërçi politik vijon dhe reformat kritike për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar e reformuar gjyqësorin mbeten jashtë rruge.
Nga Emerging Europe Monitor
(gazetatema.net)

No comments:

Post a Comment