KQZ përfundon numërimin e votave të kontestuara,13 Basha 16 Rama

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përfundoi të mërkurën procesin e numërimit të të gjitha kutive me vota të kontestuara,26 të tilla, që i përkisnin katër KZAZ-ve të bashkisë Tiranë, ku në total rezultuan 13 vota të vlefshme në favor të kandidatit të koalicionit "Aleanca për Qytetarin", Lulzim Basha, kundrejt 16 votave për kandidatin e koalicionit "Aleanca për të Ardhmen", Edi Rama.

KQZ rifilloi mesditën e sotme procesin e rivlerësimit të këtyre votave, i nisur ditën e djeshme, dhe pas hapjes edhe të 15 kutive të mbetura, rezultuan 11 vota të vlefshme për kandidatin Rama dhe 9 vota për kandidatin Basha. Këto vota, duke ia bashkangjitur atyre të rivlerësuara dje pas hapjes së 11 kutive, e çon në total numrin e votave të vlefshme, të gjetura në 26 kuti, në 16 vota për kandidatin Rama dhe në 13 vota për kandidatin Basha.

Procedura e rivlerësimit nga KQZ e votave të kontestuara nisi dje pas miratimit të kërkesës ankimore të PD-së për hapjen e 26 kutive për kryetarin e bashkisë Tiranë, që i përkisnin KZAZ-ve nr. 47. 49, 52 dhe 53, ku kërkohej kqyrja dhe rivlerësimi i këtyre votave.

Në mbledhjen e ditës së nesërme KQZ pritet të diskutojë lidhur me vendimmarrjen për këto vota të kontestuara, që sipas kodit zgjedhor duhet të përfshihen në tabelën e rezultateve përmbledhëse për kryetarin e bashkisë Tiranë.

Nga ky rinumërim Basha kryeson sërish por jo më me 81 vota por me 78.
(balkanweb.com)

No comments:

Post a Comment