“Çmendet” Katari, 36 milionë euro në sezon Pep Guardiolës

Sheiku nga Katari tenton të joshë trajnerin katalanas, për të kontribuar në rritjen e nivelit të futbollit vendas, përpara Botërorit të 2022-shit

Pep Guardiola i Barcelonës është lidhur me një kalim të mundshëm si trajner në Lindjen e Mesme, teksa Federata e Futbollit e Katarit është e gatshme t’i paguajë atij një shumë marramendëse prej 36 milionë euro, për të marrë drejtimin e ekipit kombëtar. Raportimet vijnë prej të përditshmes sportive “Marca”.

Guardiola tha në fillim të këtij sezoni, se qëndrimi i tij në “Camp Nou” është drejt fundit dhe ish-lojtari i kombëtares së Spanjës pritet të largohet nga katalanasit, në momentin që kontrata do t’i skadojë në verën e 2012-s.

Trajneri i ri, i cili është përfolur edhe për një kalim tek Interi dhe në Premier Ligën angleze, mund të vendosë të pushojë për 1 vit e më pas të marrë drejtimin e Katarit në 2013-n. Sheiku, Hamad Bin Kalifa Bin Ahmad Al Tani flitet se sheh tek ish-mesfushori njeriun perfekt për të ndihmuar futbollin e Katarit drejt rritjes së nivelit.

Për këtë arsye ai dëshiron t’i paguajë edhe këtë shumë të madhe të hollash. Guardiola ka patur edhe një eksperiencë tjetër në Katar, teksa ka drejtuar Al Ahli Doha nga 2003-2005, duke ruajtur marrëdhënie të shkëlqyera me zyrtarët e Katarit. Madje Pep ishte një nga ambasadorët e suksesit të Katarit në kandidaturën e Kupës së Botës 2022.

(www.sportishqiptar.al)

No comments:

Post a Comment