Kolegji lë në fuqi KQZ: Basha 81 vota para, Pritet reagimi i PS

Partia Socialiste pritet të përcaktojë sot hapat që do të hedhë, pas vendimit të mbrëmshëm të Kolegjit Zgjedhor, i cili hodhi poshtë kërkesën ankimore të kësaj partie për rrëzimin e vendimit 709. Vendimi shërbeu si bazë për vlerësimin e votave të kontestuara, të hedhura në kutinë e gabuar.

KOLEGJI 3 DITE KOHE TE ARGUMENTOJE VENDIMIN
Ora 10: 16 Kolegji Zgjedhor ka tre ditë afat për të zbardhur vendimin me të cilin pushoi kërkesën ankimore të Partisë Socialiste. Sipas nenit 158 të Kodit Zgjedhor, Kolegji është i detyruar të zbardhë vendimin jo më vonë se tre ditë nga data e dhënies së tij.
Sipas nenit 158 të Kodit Zgjedhor, në varësi nga çështjet në shqyrtim, Kolegji Zgjedhor mund të vendosë për a) pushimin e gjykimit, b) gjykimin e çështjes në themel ose c) detyrimin e KQZ-së për të marrë vendim. Po ky nen i Kodit Zgjedhor përcakton se pushimi i gjykimit vendoset kur Kolegji Zgjedhor konstaton se ankimi është paraqitur jashtë afateve të përcaktuara në këtë Kod, ose për mungesë kompetence. Kur Kolegji Zgjedhor vendos mungesën e kompetencës, ia dërgon çështjen organit kompetent. Ndërkohë, sipas interpretimit të juristëve, vendimi i marrë nga Kolegji do të thotë se çështja ose nuk përmban lëndë ankimore, ose lë në fuqi vendimet e mëparshme të KQZ-së, që nënkupton rrëzimin e kërkesës ankimore.

PS VENDOS SOT PER HAPAT QE DO MARRE
Ora 08:00 Partia Socialiste pritet të përcaktojë sot hapat që do të hedhë, pas vendimit të mbrëmshëm të Kolegjit Zgjedhor, i cili hodhi poshtë kërkesën ankimore të kësaj partie për rrëzimin e vendimit 709. Deri në orët e vona të mbrëmjes së të premtes, grupi i ekspertëve ligjorë dhe deputetëve juristë të PS-se kanë diskutuar të gjitha mënyrat e reagimit. Prej orës 22. 30 të mbrëmjes ata kanë shkëmbyer mendime së bashku me kreun e PS-së Edi Rama rreth rrugës ligjore që duhet të ndiqet pas këtij vendimi.
"Burimet nga kjo parti thanë se tashmë PS-ja mund të përqendrohet në një ankimim tjetër të ri, duke filluar që nga sot. Pritet që kësaj radhe të ankimohet në Kolegj rezultatin që doli pas numërimit nga KQZ-ja të fletëve të votimit të pavlerësuara dhe të panumëruara për kryetarin, të cilat aksidentalisht nuk janë hedhur në kutitë respektive të votimit të së njëjtës qendër votimi."- shkruan sot GSH.
Veç rrugës ligjore, PS-së i duhet të diskutojë edhe në lidhje me reagimin politik, pasi vetë Edi Rama e kreu i grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi kishin lajmëruar për revoltat popullore në rast të përmbysjes së rezultatit. Por, kjo do të diskutohet nga forumet e PS-së.
Po gjatë orëve të mbrëmjes, nga selia blu, kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha përshëndeti vendimin e Kolegjit Zgjedhor duke e quajtur “fitoren më të madhe numërimin e cdo vote.”

KQZ DHE SHPALLJA E REZULTATIT PER TIRANEN
Ora 07: 30 Ndërkohë që shpallja e rezultatit përfundimtar pë fituesin e Bashkisë së Tiranës në KQZ do të jetë pezull dhe për disa ditë të tjera. Kjo pasi KQZ pas vendimit për rivlerësimin e votave të kontestuara, nxori vendimin për përfshirjen në tabelën e rezultateve për çdo KZAZ. KQZ i duhet të presë nëse ka ankimime në Kolegjin Zgjedhor për vendimet e marra që mbajnë nurmin 710 e 711.

Nëse nuk do të ketë ankime të tjera, apo ndonjë tërheqje të PS-së, atëherë KQZ-së i lind e drejta të marrë vendimin për shpalljen e rezultatit përfundimtar për Bashkinë e Tiranës. Pa kaluar këto procedura nuk mund të flitet një certifikim i rezultatit përfundimtar për Bashkinë e Tiranës, ku pas vendimit më të fundit të Kolegjit, kandidati demokrat Lulzim Basha është drejt fitores.

SIMPATIZANTET PD FESTOJNE VENDIMIN E KOLEGJIT ZGJEDHOR
Ora 07: 30 Simpatizantë të kandidatit demokrat në garën për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha janë mbledhur para selisë së PD-së, menjëherë pasi Kolegji Zgjedhor mori vendimin e formës së prerë për të rrëzuar kërkesën ankimore të Partisë Socialiste. Kolegji la në fuqi vendimin e KQZ-së për të përfshirë në numërim edhe votat e hedhura ne kutite e gabuara. Simpatizantët PD kanë krijuar një atmosferë festive të cilës pak më vonë i është bashkuar vetë Lulzim Basha. Simpatizantët kanë hedhur fishekzjarre, kanë brohoritur si dhe kanë valëvitur flamujt blu të Partisë Demokratike.
(balkanweb.com)

No comments:

Post a Comment