KNI diskuton Raportin e KE për situatën e krijuar në BE pas heqjes së vizave me Ballkanin Perëndimor

Nuk ka rritje të numrit të azilkërkuesve nga Republika e Shqipërisë, pas vendosjes së regjimit të ri të heqjes së përkohshme të regjimit të vizave. Ky është një zhvillim shumë pozitiv, dëshmi e qëndrimit të përgjegjshëm të qytetarëve shqiptarë ndaj një vendimi iluminist të qeverive të zonës së Shengenit.

Ne duhet të vazhdojmë intensivisht informimin e publikut me të gjitha aspektet e procesit. Sikundër duhet të vazhdojmë konsolidimin një për një të kërkesave të Udhërrëfyesit, të cilat në tërësinë e tyre veçse e bëjnë këtë vend më të sigurt, shtetin ligjor më funksional.

Shqipëria dhe shqiptarët do të mund të ecin drejt BE, si një shoqëri dhe një vend i shtetit ligjor, i funksionimit të tij, si kusht i të gjitha kushteve, si kushti më themelor i kritereve të Kopenhagenit.

Rezultati i ngushtë [në bashkinë e Tiranës] është edhe testi më i madh për shtetin ligjor. Midis alternativës së zgjidhjes politike dhe alternativës së zgjidhjes së shtetit ligjor, ne u përcaktuam për alternativën e shteti ligjor, se në të vërtetë zgjedhjet, më shumë se çdo tjetër, janë funksionim i shtetit ligjor.

Uroj që opozita të përmbushë detyrimet e veta, uroj të kuptojë se jo bllokimi, por votimi, jo destruktiviteti, por konstruktiviteti është alternativa që duan qytetarët shqiptarë.

Komiteti Ndërministror për Integrimin diskutoi dje (10 Qershor 2011), me propozim të Kryeministrit Berisha, mbi dy çështje të rëndësishme: Raportin e Komisionit Europian mbi situatën, pas heqjes së vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Planin e Veprimit për zbatimin e 12 rekomandimeve të Opinionit të Komisionit Europian.

Lidhur me çështjen e parë, Kryeministri Berisha, duke sjellë konkluzionet e Raportit të KE-së se Shqipëria është në parametrat më optimalë, nuk ka rritje të numrit të azilkërkuesve nga Republika e Shqipërisë, u shpreh se ky zhvillim shumë pozitiv është dëshmi e qëndrimit të përgjegjshëm të qytetarëve shqiptarë ndaj një vendimi iluminist të qeverive të vendeve të zonës së Shengenit.

Pavarësisht këtyre konstatimeve pozitive, Kryeministri kërkoi jo eufori, por konsolidimin e çdo kërkese të Udhërrëfyesit. Kryeministri i kërkoi gjithashtu, ministrit të Brendshëm vazhdimin e informimit të publikut nëpërmjet spoteve televizive, për të gjitha aspektet e këtij procesi, duke vënë theksin se zgjatja e qëndrimit tej afatit të parashikuar nuk ka asnjë avantazh finanicar.

Çështja e dytë që KNI mori në shqyrtim ishte Plani i Veprimit për zbatimin e 12 rekomandimeve të Opinionit të Komisionit Europian. Lidhur me këtë, Kryeministri Berisha tha se që nga 31 janari kur projekti me punën e bërë për zbatimin e këtyre rekomandimeve iu dorëzua KE-së, janë organzuar konsultime me KE-në, takime me grupet e interesit, agjencitë përkatëse dhe shoqërinë civile.

Kryeministri Berisha ftoi opozitën të përmbushë detyrimet e saj këtë drejtim, duke kuptuar se “jo bllokimi, por votimi, jo destruktiviteti, por konstruktiviteti është alternativa që duan qytetarët shqiptarë”.


(albanews.gr)

No comments:

Post a Comment