Big Basta shfaqet me Vesa Lumën në tapetin e kuq të “Top Fest 8” dhe i jep një mesazh Samantës

Si një reper i vërtetë, ku jeta e artistit bashkohet në një pikë me artin e muzikës, edhe Big Basta (Gerald Xhari) duket se është shumë i pëlqyer nga publiku, për faktin se di ta bëjë këtë gjë me stil. Me klasin e artistit profesionist dhe që transmeton energji pozitive, ai është shfaqur në tapetin e kuq të shtunën e kaluar në natën finale të “Top Fest 8”, ndërsa është fotografuar me këngëtaren kosovare Vesa Luma, mes të cilëve u komentua në faqet e shtypit rozë, se kishte nisur një romancë dashurie. As njëri, as tjetri nuk e pranuan këtë fakt, duke pohuar se mes tyre ekzistonte një miqësi e mirë, por që nuk dihet se çfarë drejtimi do të marrë në të ardhmen. Gjithsesi, dy artistët kanë preferuar të zgjedhin për partnerë njëri-tjerin për të parakaluar në tapetin e kuq, ndërsa janë shfaqur në formë shumë të mirë pas disa javëve tension në garën e “Dancing with the stars” në “Vizion Plus”. Këtë edicion, Bigu nuk këndoi vetë në “Top Fest”, por mori pjesë si krijues i këngës së Samanta Karavellës me titull “Provoje dhe një herë”, e cila nuk e preku finalen, për faktin se pak para përzgjedhjes së finalistëve kishte mbërritur një shkresë zyrtare që ndalonte konkurrimin e mëtejshëm, pasi këngëtarja nuk kishte paguar autorin, që ishte pikërisht Big Basta. Edhe pse një këngë shumë e pëlqyer “Provoje dhe një herë”, nuk arriti të prekë finalen për këtë fakt, ndërkohë që pas mbërritjes së shkresës në drejtorinë e festivalit u vendos pezullimi i këngës. Ndërkohë që, Samanta nga ana e saj e hodhi poshtë këtë variant në shumë intervista dhënë në media, duke pohuar se kënga thjesht nuk u kualifikua nga bordi drejtues i festivalit për në finale. Nga ana tjetër, Bigu nuk ka pranuar të japë asnjë koment në media, duke pranuar si variant të saktë atë të moslikuidimit të shumës përkatëse. Por një këngëtar me ide si Bigu, me sa duket, më mirë sesa të bëjë zhurmë në gazeta, ka preferuar të veshë një bluzë ku shkruhet “Më paguaj”, që ne do ta komentonin si një mesazh indirekt, por edhe i publikut drejtuar këngëtares në fjalë dhe gjithë këngëtarëve të tjerë, që përsërisin këtë gjest me autorët. Me këtë mesazh në bluzë e tij nënkuptohet me fjalë të tjera se po të kishte paguar këngën, Samanta do të kishte qenë patjetër në natën finale të Top Fest-it. Ndërkohë që ai vazhdon krijimtarinë muzikore me shumë bashkëpunime të tjera. Sapo ka përfunduar një single, që pritet të jetë hit vere, me një fabul të pamenduar ndonjëherë, ku ai e sheh botën dhe jetën e njerëzve këtu në tokë nga hapësira. Po ashtu edhe Vesa sapo ka përfunduar xhirimet e një kënge të re në bregdetin e Vlorës. Të dy këngëtarët kanë premtuar se do të dalin së bashku me një duet.

No comments:

Post a Comment