Malaj: Radikalizimi i PS-së rrezikon humbje të përsëritur

Për asnjë arsye dhe për asnjë moment, Partia Socialiste nuk duhet të influencohet apo drejtohet me mentalitet dhe strategji radikalizuese. Ky është vlerësimi i deputetit dhe anëtarit të Kryesisë së Partisë Socialiste, Arben Malaj, në një intervistë për “Mapo”-n.
Zoti Malaj, Kolegji Zgjedhor është shprehur dy herë duke rrëzuar ankimimin e Partisë Socialiste, ndërsa herën e fundit bëri vetëm një pranim të pjesshëm të padisë sa i takon rezultatit të Tiranës. Si e konsideroni këtë vendimmarrje?

Në aspektin procedural, do të vlerësoja shumë analizën e do të respektoja po aq ekspertizën dhe rekomandimet e kolegëve juristë të Partisë Socialiste. Natyrshëm, kur flasim për sistemin gjyqësor, mbajmë parasysh faktin që respektimi i vendimeve të tij është i detyrueshëm. Ndaj, çdo analizë e mbingarkuar me emocione politike, partiake, individuale, “pro” ose “kundër” mbi këto vendime institucionale, vetëm ushqen tejzgjatjen dhe acarimin e krizës politike.

Partia Socialiste përmes kryetarit të saj Edi Rama i ka cilësuar këto vendimmarrje si të papranueshme dhe se do të ndërmarrë të gjithë hapat për t’i kundërshtuar. PS-ja kërkoi edhe ekspertizë ndërkombëtare për këtë proces. A është i mundshëm ky angazhim ndërkombëtar?

Nëse ekspertët juridikë të PS-së do të vlerësojnë se ka hapa ligjorë për ta apeluar vendimin në shkallët e epërme brenda apo jashtë vendit, ato duhen ndjekur pa vonesë. Angazhimi i ndërkombëtarëve për anulimin e një vendimi gjyqësor është praktikisht i pamundur dhe cenon kredibilitetin e dyanshëm. Demokracia në vendet e tyre mbështetet në ndarjen e pushteteve dhe respektimin e vendimeve gjyqësore. Në momentet kritike të krizave politike politikëbërja ndërkombëtare ka kërkuar zgjidhjen te gjyqësori dhe ka ditur të respektojë vendimet e tij. Është pikërisht kjo arsyeja themelore përse demokracia është më solide dhe funksionale në civilizimet ku është arritur “de jure” dhe “de facto” ndarja dhe balancimi i pushteteve. Në vendin tonë nuk është arritur ende, teksa kredibiliteti publik i gjyqësorit është i cenuar. Asistenca e Komisionit të Venecias do të jetë e dobishme për të qartësuar mundësitë përmirësuese të Kodit Zgjedhor për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe vendore. Kjo asistencë e specializuar është mirë të vijë sa më parë, për të pasur kohën e nevojshme për të diskutuar rekomandimet dhe përfshirjen e tyre në reformën zgjedhore.

Zoti Malaj, në vlerësimin tuaj, çfarë duhet të bëjë Partia Socialiste në këto momente për të menaxhuar situatën paszgjedhore dhe për të përdorur periudhën deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare?

Mbarimi i procesit zgjedhor dhe nisja e punës për të zgjedhurit vendorë është një parakusht për të lejuar fokusin e forcave politike të projektohet te zhvillimet e ardhshme politike në gjirin e partive dhe në marrëdhëniet pozitë-opozitë. Ajo që mund të thuhet është se procesi zgjedhor ka qenë legjitim në ditën e votimit, d.m.th. ne duhet të gjithë së bashku të falënderojmë qytetarët për përgjegjshmërinë që treguan, e pjesëmarrjen e lartë në votime. Fatkeqësisht procesi i administrimit të zgjedhjeve mbas përfundimit të votimit, përfshirja e thellë e KQZ-së në vendimmarrje shumë të rëndësishme me efekt jopozitiv në rezultatin e zgjedhjeve në rastin e Bashkisë së Tiranës, paqartësitë juridike të evidentuara edhe nga ndërkombëtarët etj., cenojnë kredibilitetin e rezultatit të zgjedhjeve në Tiranë. Në këndvështrimin politik, çmoj se angazhimi dhe përgjegjësitë e PS-së në raport me sfidat e vendit janë tejet të mëdha. Duhet të marrë fund ngërçi politik i dy viteve të fundit, mazhoranca aktuale duhet të lexojë vullnetin madhor të shqiptarëve për t’u integruar në Europë dhe të lërë mënjanë “arrogancën e kartonave” në Kuvendin e Shqipërisë. Pas analizave, diskutimeve dhe vendimmarrjeve përkatëse në forumet drejtuese të saj, PS-ja do të nevojitet të riorientojë strategjinë dhe taktikat e zhvillimit të politikës nga ana e saj, veçanërisht duke iu larguar mjeteve politike të paefektshme apo që kanë provuar se nuk sjellin rezultat apo produkt publik e duke u fokusuar më mirë në pasqyrimin dhe mbrojtjen e interesave themelore të shtresave e grupeve shoqërore që përfaqëson. Duhet parandaluar përsëritja ciklike e metodave dhe mjeteve të luftës politike që “lodhin” elektoratin dhe zbehin angazhimin e tij. Kriza e tejzgjatur dhe dështimet në integrimin europian të vendit imponojnë një fazë të re e moderne të të bërit politikë, imponojnë reforma konkrete në modernizimin e partive politike, si parakusht për modernizimin e mbarë shoqërisë shqiptare. Në këtë besim, shpresoj shumë që pa humbur kohë potencialet intelektuale dhe energjitë pozitive të PS-së dhe mbështetësve të saj të orientohen nga përgjegjshmëria për sfidat e vendit. Ne, edhe si opozita më madhe në historinë e vendit, nuk duhet të vonojmë dhe as të pengojmë plotësimin e detyrimeve tona për proceset integruese. N.q.se ka mundësi reale për hapa të tjerë ligjorë për Bashkinë e Tiranës, do të jem solidar me kolegët e mi të Grupit Kuvendor të PS-së. Por edhe publikisht qartësoj se, ashtu si deri më sot, jam kategorikisht kundër radikalizmit të forcës sonë politike, jam kundër bojkotit, braktisjes apo sulmeve ndaj institucioneve publike, jam kundër opozitës me tymin e zi të gomave të djegura apo bllokimit të rrugëve kombëtare.

Pse nuk morët pjesë në takimin e para pak ditëve në kuadër të Komitetit të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri. Ju keni qenë anëtar i delegacionit shqiptar herët e mëparshme. Ka pasur ndonjë përjashtim tuajin nga ky delegacion?

Nuk është e vërtetë që PS-ja më ka përjashtuar nga delegacioni, por më duhet ta ndaj me opinion publik qëndrimin tim për të mos marrë pjesë në atë takim. Diskutova me kolegët konceptin për të maksimizuar efikasitetin tonë si deputet të Shqipërisë dhe të Partisë Socialiste në takimin me parlamentarët europianë. Propozimi im konkret përfshinte tri ide kryesore. Së pari, organizimin e një diskutimi në Parlamentin tonë përpara takimit të radhës në Bruksel. Si shumica absolute e shqiptarëve, u jam shumë mirënjohës ShBA-ve, shumë mirënjohës çdo vendi anëtar dhe institucioni të BE-së për mbështetjen e plotë për integrimit euroatlantik të vendit tim, por vlerësoj se ata do të na respektonin më shumë dhe sidomos vendi ynë do përfitonte më shumë, po të respektojmë më shumë vetveten. Së dyti, propozimi im ishte jo thjesht të merrnim pjesë në një seancë të Parlamentit tonë, për të bërë një seancë tipike me akuza dhe kundërakuza reciproke, por të diskutonim për një ofertë politike që PS-ja i paraqiste mazhorancës, duke kërkuar që disa reforma jetike të ishin pjesë e rezolutës së Kuvendit tonë për ta paraqitur në Bruksel si përgjegjësi për reformat e paplotësuara, të cilat na pengojnë të fitojmë statusin e vendit kandidat. Së treti, nëse Parlamenti nuk miratonte një draftrezolutë të iniciuar nga opozita, PS-ja si forca më e madhe opozitare duhet të paraqiste në Bruksel ofertën e saj politike për daljen nga kriza dhe integrimin e vendit në BE. Ndoshta kështu Brukseli nuk do të vazhdonte të ndihej i frikësuar nga sherret tona, sa një takim kaq të rëndësishëm ta zhvillonte me dyer të mbyllura. Takim i fundit ishte dështimi ynë i përsëritur, i kërkojmë Europës së Bashkuar të hapë dyert e saj për ne, dhe e detyrojmë BE-në të mbyllë dyert e takimeve të përbashkëta ku diskutohet për integrimin tonë. Në kushtet kur PS-ja nuk kërkoi një diskutim në Parlamentin tonë, në kushtet kur PS-ja nuk paraqiti një ofertë politike në Shqipëri dhe pastaj edhe në Bruksel, nuk mund të isha pjesë e përfaqësimit të vendit tim dhe Partisë Socialiste në takimin e radhës. Jam i bindur se për të dalë nga kriza do të synohet një marrëveshje, jam i bindur që vendi do të dalë nga kriza nëpërmjet marrëveshjeve politike. Nuk jam i bindur për arsyet e vërteta që zvarritet pa fund arritja e një marrëveshjeje reale, marrëveshjeje për ndarjen, balancën dhe kontrollin e pushteteve. Fan Noli mund të ketë akoma të drejtë në analizën që i bënte pesë anarkive të kulturës sonë shoqërore dhe politike në vitin 1923. Por, pa dyshim, duke i ri analizuar këto anarki me realitetin e sotëm politik të vendit tonë, ajo që edhe pas 88 vjetësh ripërsëritet si një fotokopje e keqe, ajo që vazhdon dhe dëmton rëndë të tashmen dhe të ardhmen tonë është anarkia e idealeve.

Ka zëra brenda PS-së, zoti Malaj, që flasin edhe për nevojën e ndryshimeve kushtetuese, reforma të mëdha në sistemin zgjedhor dhe ligjin elektoral, ashtu sikurse hapjen e mëtejshme të partisë. A janë me vend këto propozime?

Besoj se do të jenë rruga më produktive edhe për vetë PS-në. Ne duhet të marrim avantazhin e iniciativave propozuese për reformat themelore që vlerësojmë se i duhen vendit. Ne nuk duhet të humbasim asnjë minutë për të riorientuar fokusin tonë drejt sfidave reale të PS-së dhe të mbarë vendit. Për arritjen e kësaj nuk mjafton ndryshimi i mënyrës së sjelljes së opozitës, por kërkon detyrimisht vullnet dhe përgjegjësi më të madhe të mazhorancës për të forcuar legjitimitetin e vet shtetit, për të rivendosur dhe respektuar balancën midis tij (shtetit) dhe pushtetit, për të sjellë në standard bashkëkohor ndarjen dhe balancën e pushteteve të cenuar jo pak edhe nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Profesor Luan Omari, në librin e tij të sapo prezantuar në publik, i ka trajtuar me shumë përgjegjshmëri, jo vetëm akademike, mangësitë e procesit dhe pasojat e rënda që krijuan këto ndryshime kushtetuese. “Shteti i partive”, kur partitë njësohen me individët që i drejtojnë, rrezikon gjithnjë e më shumë të përkeqësojnë parimet e funksionimit të institucioneve kushtetuese. Kjo sjell cenimin dhe kufizimin e lirive themelore të çdo shqiptari, pasojat përfundimtare të të cilave paguhen nga të gjithë. Reformat e mëdha nuk mund dhe nuk duhet të kryhen pa angazhimin e gjerë të qytetarëve, me qëllim që të rrisim besimin publik ndaj institucioneve të shtetit të së drejtës. Në tërë këtë proces, vizioni, roli ndërgjegjësues dhe kontributi iniciues dhe mbështetës i Partisë Socialiste për këto reformave duhet të bënte dallimin e madh midis dy filozofive të modeleve qeverisëse, atij me dorë të fortë e pushtet absolut dhe modelit demokratik, që u besohet institucioneve të forta.

Duke iu referuar shifrave të zgjedhjeve të 8 Majit, zoti Malaj, shikohet se aleatët e PS-së kanë grumbulluar gjysmën e votave të aleatëve të Partisë Demokratike. Gjithsesi PS-ja është dukshëm përpara me vota në raport me Partinë Demokratike, si në Tiranë ashtu edhe në rang vendi. A e konstatoni edhe ju problemin e aleatëve “të dobët” të PS-së përballë atyre me shumë vota në krahun e PD-së?

Kam një vlerësim pak më ndryshe, n.q.se PD-ja nuk do të ishte tkurrur dhe aleatët e saj do të ishin rritur, PD-ja do të kishte të drejtën të ishte “ballë lart dhe duar plot”. Votat proporcionale në zgjedhjet vendore kanë brenda tyre edhe rishpërndarjet për shkak interesash të vogla. Në vlerësimin tim, ndërtimi i aleancave është dhe duhet të jetë subjekt i analizave të kujdesshme në forumet drejtuese të PS-së, me synimin themelor – maksimizimin e votës së qytetarëve në favor të alternativës që ofron grupimi i drejtuar nga PS-ja në zgjedhjet e afërta politike të vendit. Votat dhe aq më shumë votuesit nuk duhen parë si shifra statike dhe me preferenca të ngrira për parti politike apo lider të caktuar. Votuesit tanë e duan dhe e mbështesin çdo ndryshim pozitiv. Ata po lodhen gjithnjë e më shumë nga fushata negative apo radikalizimet e politikës. Pikërisht këtu merr rëndësi strategjia e re për të fituar në vitin 2013. Një strategji e orientuar nga angazhimi efektiv në institucionet kushtetuese dhe sfidat e vendit, do të jetë më produktive edhe për vetë PS-në. Demokratizimi dhe modernizimi i mëtejshëm i forcës sonë politike, zgjerimi horizontal i kontributeve dhe përgjegjësive politike, mundësitë reale për meritokraci dhe karrierë politike, aktivizimi i menjëhershëm dhe efikas i forumit të gruas, forumit rinor dhe qendrave kërkimore shkencore pranë PS-së, limitimi i pushteteve të përqendruara dhe i pushteteve me mandate të tejzgjatura, mund të jenë disa piketa, jo për të ushqyer një debat shterpë, por për ta larguar PS-në nga çdo risk radikalizues apo keqpërdorim për qëndrime radikale, tendencë kjo që çon drejt një humbjeje të përsëritur. Në Partinë Socialiste ka më shumë nevojë për më shumë solidaritet njerëzor, më shumë përkushtim dhe më shumë përgjegjshmëri për të rritur mbështetjen publike si një forcë politike moderne për një qeverisje më të mirë të vendit. Për asnjë arsye dhe për asnjë moment Partia Socialiste nuk duhet të influencohet apo drejtohet me mentalitet dhe strategji radikalizuese. Tranzicioni ynë ka shumë momente kritike, ku radikalizmi i jetës politike vetëm na ka penguar dhe na ka rritur kostot sociale. Pas krizës aktuale të vendit dhe përballë sfidave historike të tij, Partia Socialiste duhet të përfaqësojë shpresën e së ardhmes dhe duhet të përmbushë në çdo mandat politik të saj shpresat për një të ardhme më të mirë të shqiptarëve.



No comments:

Post a Comment