Jahjaga kërkon një monument që simbolizon rrugëtimin e lirisë

Presidentja e Kosoves, Atifete Jahjaga mori pjesë të shtunën në aktivitetet e organizuara në kuadër të Ditës së Çlirimit të Prishtinës. E shoqëruar nga kryetari i Komunës, Isa Mustafa dhe bashkëpunëtorët, ajo fillimisht bëri nderime, duke vënë kurora lulesh, para varrit të presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova, në Velani, pastaj te Varrezat e Dëshmorëve në të njëjtën lagje, si dhe para shtatores së heroit të kombit Zahir Pajaziti.


Më pas, Presidentja Jahjaga mori pjesë në akademinë solemne të Kuvendit Komunal të Prishtinës.

Pas nderimeve pranë varrit të presidentit Rugova, Jahjaga çmoi lart angazhimin, politikën dhe vizionin e dr.Rugovës, si ideator i pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Ajo theksoi se Rugova ishte ideatori i politikës për liri, pavarësi dhe demokraci dhe këto janë bazat edhe të shtetit të pavarur të Kosovës që e kemi sot.

Ndërkaq, duke folur në akademinë solemne në KK, presidentja e vendit tha se përvjetori i çlirimit të Prishtinës shënon fundin e një epoke të gjatë të përpjekjeve tona për liri, demokraci, pavarësi, që u kurorëzuan suksesshëm pas lëvizjes aktive paqësore që simbolizohet me ideologun dhe arkitektin e platformës së pavarësisë dhe të jetës shumëpartiake e demokratike, presidentin Ibrahim Rugova. “Kjo ditë, gjithashtu, ndërlidhet me veprën e Adem Jasharit, komandantit të UÇK-së, me rezistencën e armatosur për çlirim dhe për shtetformim. Çlirimi i Prishtinës dhe i gjithë Kosovës ndërlidhet me ndihmën e pakursyer të bashkësisë ndërkombëtare, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian dhe të veprimit të drejtpërdrejtë nëpërmjet sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve në ish Jugosllavi”, tha në fillim Jahjaga.

Çlirimi i vendit dhe shpallja shtet sovran e i pavarur është një vepër madhore e shumë brezave që vepruan dhe u sakrifikuan për çështjen kombëtare, e cila gjithmonë ishte e lidhur me aspektet e një lëvizje përparimtare, civilizuese të ndërtimit të një shteti të lirë, demokratik të prosperueshëm me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare fetare, racore gjinore e tjetër, tha në vijim presidentja Jahjaga.

Ajo vlerësoi se e kaluara jonë shërben si kujtesë që të ndërtojmë të ardhmen, duke e pasur në mendje se ne jemi një vazhdimësi e atyre veprimtarëve, e atyre intelektualëve, e atyre luftëtarëve, e atyre brezave, që me punën e tyre na mundësuan që ne sot të jemi këtu, të ndërtojmë shtetin demokratik, të jemi faktor i respektuar dhe të kemi miq ndërkombëtarë.

Presidentja pastaj paraqiti idenë për ndërtimin e një monumenti që simbolizon rrugëtimin e lirisë. “Më lejoni që këtu të përsërisë idenë se në kryeqytetin e vendit duhet të ndërtohet një obelisk, përkatësisht një monument që simbolizon rrugëtimin e lirisë, që simbolizon unitetin e popullit, që simbolizon përkrahjen ndërkombëtare dhe ku ne, por edhe delegacionet e huaja, do të vinim kurora dhe do të bënim nderime në simbolikën e festave dhe të datave tona të rëndësishme”, tha ajo.

Duke folur për çështjet aktuale, Jahjaga tha se pavarësia e vendit është një proces i pakthyeshëm, sepse mbështetet në vullnetin plebishitar të popullit, i cili është i përhershëm dhe i panegociueshëm. Ajo gjithashtu i bëri një vështrim edhe prezencës ushtarake e civile ndërkombëtare në vend, duke cekur ndihmën që ato kanë për ndërtimin e institucioneve demokratike dhe stabilitetin e vendit.

Ndërkaq, duke folur për kryeqendrën e vendit, presidentja tha se Prishtina është komuna më e madhe, është kryeqyteti i vendit dhe “duhet sa më shpejtë të funksionalizohet në këtë drejtim me të gjithë infrastrukturën e nevojshme dhe në këtë e keni përkrahjen time institucionale”.

(24-ore.com)

No comments:

Post a Comment