INTERVISTA/ Berisha: Shqipëria po përfiton nga kriza greke. EMIGRANTET PROTESTOJNE: Kriza po na shkatërron

Kjo është intervista që kryeministri Sali Berisha ka dhënë për gazetën austriake Kurier. Kjo interviste e Berishes, qe e sheh me optimizem krizen greke, vjen ne te njejten dite kur emigrantet tane ne Greqi organizojne nje proteste që lidhet me papunësinë, e cila ndikon drejtpërdrejt në komunitetin e tyre.

Kryetari i shoqatës së emigrantëve shqiptarë në Greqi, Tahir Mici, ka shprehur shqetësimin e madh për gjendjen e emigrantëve, të cilët preken nga papunësia dhe problemet ekonomike. Por Berisha thote se eshte i lumtur qe ata te kthehen ne Shqiperi.



Në kërkim të punës në vitet e shkuara, thuajse një milion shqiptarë u larguan nga atdheu i tyre i varfër në drejtim të Greqisë. Por kriza atje i ka prekur rëndë, punët e lira që bënin emigrantët, u shkurtuan të parat. Por kryeministri shqiptar duket se pas shqetësimit të parë, tani sheh efekte pozitive të krizës greke.



Si ndikon kriza greke tek fqinjët e rëndësishëm të saj?



Ne ishim të shqetësuar shumë për shkak të bankave greke në Shqipëri. Por ato kanë reaguar me përgjegjshmëri dhe kanë ecur shumë mirë. Por ne ndjejmë që dërgesat e emigrantëve shqiptarë në Greqi kanë rënë ndjeshëm.



A do ndjehet shumë mungesa e këtyre parave?



Efektet negative të krizës greke, të cilave iu druheshim, nuk kanë ndodhur. Në të kundërtën mijëra shqiptarë janë rikthyer. Ata kanë sjellë paratë që kanë kursyer në Greqi dhe kanë nisur të investojnë në biznese të vogla. Për Shqipërinë kjo është një fitore e madhe. Njerëzit, që kanë mësuar shumë jashtë vendit, kthehen dhe ndërtojnë diçka të re këtu.



Si e përballoi Shqipëria krizën ekonomike të vitit 2008?



Na ka prekur pak. Ndryshe nga vendet e tjera, që përjetuan recesion, rritja jonë ekonomike u ul nga 8.2 përqind në vitin 2008 në 3.2 përqind në vitin 2009, por gjithmonë mbeti një rritje, që ne shpresojmë se do arrijë sërish në 5 përqind. Kjo erdhi kryesisht për shkak të investimeve në infrastrukturën tonë. Në dy vitet e shkuara ne kemi investuar 10 përqind të produktit kombëtar bruto në ndërtimin e rrugëve, ne kemi ndërtuar 8 mijë kilometra rrugë.



Përse në brigjet e mira e të gjata të Shqipërisë nuk ka ende turistë austriakë?



Grupet e para të turistëve që kam takuar, ishin austriakë. Por është e vërtetë, vjet kishim 3.5 milion turistë, shumica nga vendet fqinj. E vërteta është se kemi dështuar në promovimin e nevojshëm për të tërhequr turistë nga Gjermania e Austria.



Deri para pak, shumica e të rinjve shqiptarë linin vendin e tyre. Kjo duket ndryshe tani?



Që nga dhjetori ne lëvizim pa viza e megjithatë nuk ka pasur ndonjë vërshim për jashtë. Në fund të komunizmit ne ishim një nga vendet më të varfra e më të pazhvilluara në botë. Kur isha president para 20 vitesh, fitoja 16 dollarë. Të ardhurat mesatare ishin 6 dollarë. Tani rroga mesatare është 520 dollarë. Ne kemi trefishuar numrin e studentëve, të ardhurat nga taksat janë dyfishuar vitin q shkoi. Kemi një klimë të mirë për biznesin dhe taksa të ulëta. Është një perspektivë totalisht e re. Vendi po zhvillohet prandaj njerëzit duan të qëndrojnë këtu. Dhe që Shqipëria të bëhet vend anëtar i BE nuk është e lehtë, por e mundur. Për këtë arsye ne duhet të ndërtojmë çdo qoshe të vendit donë dhe të ngremë standardet tona.



A e pengon përplasje e përhershme mes opozitës dhe qeverisë këtë zhvillim?



Edhe këtë problem shqiptarët duhet ta zgjidhin vetë. Që prej zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, kur shefi i opozitës, Rama, humbi, socialistët bllokojnë çdo vendim në parlament. Për këtë arsye ne nuk i kalojmë dot nismat që kërkojnë 3 të 5 e votave. Dhe këtu futen ato ligje të nevojshme për përafrimin me BE-në. Rama beson se është më i rëndësishëm bllokimi se votimi.



A krijon një imazh të keq që fitorja për kryebashkiak të Tiranës është kaq konfliktuale?



Vendimi është në dorë të gjykatave. Do pranoj çdo vendim: kush humbet me një votë, ka humbur.

(gazetatema.net)

No comments:

Post a Comment