Interesi i Bonove të Thesarit arrin në 7.56%

Interesi i Bonove të Thesarit rritet përsëri. Në ankandin e fundit, norma e ponderuar e interesit për Bonot me afat maturimi 12-mujor ishte 7.56%, nga 7.4% që ishte në ankandin paraardhës.
Në ankand u emetuan Bono në vlerën e 9.4 miliardë lekëve, ndërkohë që oferta për financim ishte mjaft e bollshme, në vlerën e 11.5 miliardë lekëve.

Nga 29 oferta të paraqitura, u pranuan 27. Megjithëse sistemi financiar vazhdon të jetë mjaft i interesuar për të investuar në Letrat me Vlerë të qeverisë, interesi që prej dy ankandesh vazhdon të rritet. Deficiti i lartë në këtë pjesë të parë të vitit duket se po ndikon në rritjen e normave të interesit të Bonove. Gjithashtu, sipas ekspertëve, problemet në Eurozonë dhe në veçanti thellimi i krizës greke, po ndikojnë në perceptimin e riskut të investitorëve lidhur me financimin e borxheve publike.

Rritja e interesit të Bonove të Thesarit, përveçse shton koston e borxhit publik, në mënyrë të tërthortë rrit edhe normat e interesit për kreditë afatgjata në lekë. Një tendencë të ndryshme kanë shfaqur Bonot me afat maturimi 6 mujor, për të cilat norma e interesit në ankandin e fundit pësoi një rënie të lehtë nga 6.82% në 6.8%. Por, kjo i detyrohet kryesisht faktit se nga 5 miliardë lekë të kërkuara nga qeveria, 3.7 miliardë lekë u financuan prej Bankës së Shqipërisë me ofertë jo konkurruese.



(www.ama-news.al)

No comments:

Post a Comment