Amnistia për biznesin, procedurat sekrete me internet

Javën e ardhshme, administrata tatimore do të nisë lajmërimin me postë elektronike të të gjithë bizneseve që do të identifikohen me detyrime të papaguara. Këtë e ka bërë të ditur zëvendës Ministri i Financave, Alfred Rushaj, në një takim të organizuar dje me bizneset nga Dhoma Amerikane e Tregtisë.
Punonjësit e tatimeve do të procedojë me identifikimin e atyre që përfitojnë nga ligji i faljes, pra tatimpaguesve që iu falet borxhi i papaguar deri në vitin 2008, evidentimin e tatimpaguesve të cilët nuk kanë paguar borxhin përgjatë viteve 2009-2010 dhe menjëherë pas identifikimit, tatimpaguesit në fjalë do të njoftohen përmes postës elektronike, me qëllim ruajtjen e konfidencialitetit të secilës dosje. Dosja e secilit tatimpagues do të përmbajë informacione në lidhje aktin, principalin për t’u paguar, etj, në mënyrë që tatimpaguesi të jetë në dijeni në lidhje me detyrimet që ka. Por, sipas ligjit të sapomiratuar të faljes fiskale, bizneset të cilët nuk janë rimbursuar ende nga Administrata Tatimore për TVSH-në kanë një alternativë për shlyerjen e principalit të borxheve të 2010-ës, pikërisht duke rakorduar me zbritjen e TVSH-së.

Ligji citon se, të gjithë tatimpaguesit ndaj të cilëve administratat tatimore kanë detyrime për rimbursim të shumave apo kreditim të tatimeve apo që rezultojnë me tepricë kreditore, në rastet kur pranojnë me shkrim që shuma për t’u rimbursuar apo kredituar nga administrata tatimore, të zvogëlohen në vlerë të barabartë me shumën e detyrimit tatimor të falur. Në këtë mënyrë, nëqoftëse një biznes duhet të rimbursohet nga tatimet në masën 10 mln lekë dhe i detyrohet shtetit 50 mln lekë për vitin 2010, nëqoftëse dëshiron të bëjë zbritjen e principalit të detyrimeve, nëpërmjet një kërkese me shkrim i drejtohet administratës tatimore, e cila bën përllogaritjen duke zbritur 50% të principalit nga vlefta që ka për të rimbursuar biznesin në fjalë. Kështu, shteti lehtësohet nga pagesa e TVSH-së së prapambetur bizneseve.

Zv.ministri i Financave, Alfred Rushaj, gjatë diskutimit, duke iu referuar ligjit, sqaroi bizneset se ata duhet të vetëdeklarohen sipas ligjit nëpërmjet plotësimit të formularit më parë se administrata tatimore të nisë kontrollin sepse pas kontrollit, nëqoftëse bizneseve iu identifikohen më shumë detyrime të papaguara se sa kanë deklaruar, do të penalizohen. “Një tatimpagues e di çfarë ka fshehur. Nuk duhet pritur kontrolli i tatimeve për të deklaruar. Sapo të paraqiten tatimorët në derë duhet të thoni, kam diçka për të deklaruar” – u shpreh Rushaj. Në të njëjtën kohë, duke iu referuar sërish ligjit, Rushaj garantoi bizneset për konfidencialitetin e informacionit.




(www.mapo.al)

No comments:

Post a Comment