Institucionet e Shqipërisë dhe Kosovës, pengesë për shkëmbimet tregtare

Edhe pse mundësitë për shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë janë tejet të mëdha, pengesë bëhen jo vetëm barrierat shtetërore midis dy vendeve, por edhe vetë pikat doganore.

Për këtë arsye, biznesi ka kërkuar së fundi që në pikën kufitare të Morinës të përmirësohen sa më shpejtë procedurat e hyrje-daljeve në këtë doganë.

Konfederata e Industrisë përmes një reagimi, kërkon që të përmirësohen procedurat kohore. Duke pasur parasysh, se koha është pjese kryesore e kostove të transportit dhe shpërndarjes së prodhimeve dhe shërbimeve, Konfindustria shprehet se vonesat në kufirin e përbashkët Shqipëri-Kosovë i japin goditje të rënda, afatgjatë dhe të njëkohshme ekonomive të dy vendeve, raportoi Start.

Administratori i këtij institucioni, Gjergj Buxhuku thotë se rritja e kostove të shpërndarjes dhe transportit ul ndjeshëm fuqinë konkurrente të prodhimeve dhe shërbimeve të Shqipërisë dhe Kosovës duke i dhënë përparësi vendeve të treta konkurrente në tregti në rajon dhe më gjerë.

“Duhet të kemi parasysh, se me uljen e fuqisë konkurruese të mallrave dhe shërbimeve të përbashkëta jepet një goditje tjetër në uljen e masës së përgjithshme të shkëmbimeve tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës”, thekson ai.

Buxhuku shprehet se rritja e paarsyeshme e kostove të transportit si pasoje e vonesave doganore vetëm për shkaqe lehtësisht të parashikueshme dhe të zgjidhshme është goditje e pastër, që i jepet krijimit të tregut të përbashkët shqiptar prej shtatë milionë konsumatorësh si qëllimi strategjik dhe mundësia më e mirë për zhvillim ekonomik të shpejtë dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës. 

(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment