I vdes burri, vetëhelmohet 19-vjeçarja

Një nënë e re, 19 vjeçe, i dha fund jetës duke konsumuar lëndë helmuese vetëm 6 muaj pasi i kishte vdekur i shoqi nga një sëmundje e pashërueshme.Viktima Tatjana Halili ka pirë një helm të llojit “Vovotoks”, që përdoret për spërkatjen e rrushit, ndërsa la jetim fëmijën e saj 2-vjeçar. Ngjarja ndodhi në fshatin Shushicë të komunës me të njëjtin emër në rrethin e Elbasanit, kur viktima u gjet e vetëhelmuar. Kanë qenë familjarët e saj, të cilët pas rreth dy orësh pasi kishte pirë pesticidin, kanë konstatuar nga gjendja e rëndë shëndetësore çfarë kishte ndodhur, duke e dërguar menjëherë në spitalin e Elbasanit. Edhe pse mjekët ndërhynë menjëherë me lavazhe, 19-vjeçarja nuk mundi të mbijetojë, duke ndërruar jetë disa minuta më pas. Grupi hetimor mori në pyetje familjarët e viktimës, ku arriti të zbardhë rrethanat që e çuan nënën e një fëmije vetëm dy vjeç të vetëhelmohej. Mësohet se 19-vjeçarja, rreth 6 muaj më parë ka humbur bashkëshortin e saj A. H., nga një sëmundje e pashërueshme. Vdekjen e të shoqit e kishte kaluar në gjendje të rëndë depresive, aq sa viktima nuk ka mundur më ta përballojë ngarkesën emocionale duke i dhënë fund jetës. Banorë të fshatit Kuqan, ku Tatjana Halili ishte martuar tre vjet më parë me Alban Halilin, i cili nuk jeton më, u shprehën se Tatjana erdhi nuse në këtë fshat rreth moshës 16 vjeçe. Sipas tyre, ajo kishte qenë mjaft e qetë, fjalëpak dhe kishte marrëdhënie mjaft të mira me familjarët e të shoqit. Mbas vdekjes së bashkëshortit, një muaj më pas, Tatjana mori vajzën e saj 2-vjeçare dhe me marrëveshje mes dy familjeve, të bashkëshortit dhe të prindërve të saj, ajo vendos të shkojë në fshatin e vajzërisë, Shushicë. Grupi i hetuesve që po merret me këtë çështje ka marrë në pyetje edhe familjarët e viktimës. Sipas burimeve, familjarët e Tatjanës janë shprehur se vajza e tyre kishte shfaqur ngarkesa emocionale gjatë kohëve të fundit, madje duke verbalizuar shprehje të tilla se “kështu nuk jetohet”. Por, të afërmit e saj nuk e mendonin se ajo do të shkonte gjer në aktin e vetëflijimit. Ajo ka marrë pesticidin që spërkat rrushin, ku çdo familje fshati e ka një helm të tillë, dhe e ka pirë atë.

MJEKU

Mjeku reanimator Behar Gjevori e shpjegon situatën e ndodhur në fshatin Shushicë, rreth 7 kilometra larg Elbasanit, si një rast depresiv për shkak edhe të stinës. Në këtë stinë, sipas Gjevorit, bazuar edhe në precedentët e mëparshëm, janë të shumta rastet e vetëvrasjeve.

2 vjeç
është fëmija që ka mbetur tashmë jetim nga të dy prindërit e tij. I ati ndërroi jetë gjashtë muaj më parë nga një sëmundje e pashërueshme, ndërsa e ëma u vetëflijua pasi nuk përballoi dot depresionin.ELBASAN/ MIRANDA SADIKU

Zbulon tumorin në kokë, vret veten oficeri i Policisë

TIRANE – Një oficer i Komisariatit Nr.3 në Policinë e kryeqytetit u vetëvra mesditën e djeshme me armën e shërbimit. Ngjarja ndodhi në apartamentin ku banonte inspektori i policisë, Beqir Dauti, në katin e pestë të bllokut të pallateve “Almak”, në rrugën “Don Bosko”, Tiranë. Burime nga Policia thanë se 45-vjeçari Dauti, me detyrë inspektor rendi në Komisariatin Nr.3 të kryeqytetit, ka qëlluar veten me një plumb në zemër. Sipas hetimeve, për vetëvrasjen ai ka përdorur armën e shërbimit, një pistoletë tip “TT”. Policia tha se Beqir Dauti është vetëqëlluar me armë në ballkonin e apartamentit dhe gëzhoja e armës ka rënë në oborrin e pallatit. Në momentin kur ndodhi ngjarja, rreth orës 12:15 të ditës së djeshme, në apartament ka qenë edhe djali i tij, Ergi, bashkë me një shokun e tij, të cilët po luanin në kompjuter. Sapo kanë dëgjuar krismën e pistoletës, ata kanë nxituar në ballkon dhe kanë parë të shtrirë dhe të gjakosur Beqir Dautin. Djali 13-vjeçar i inspektorit të policisë i ka thirrur dy tri herë të atit, më pas ka lajmëruar menjëherë në sallën operative, duke treguar se çfarë kishte ndodhur. Në vendin e ngjarjes janë nisur menjëherë kolegët e Dautit, forcat e Komisariatit Nr.3, si dhe oficerë të Seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Lirisë së Personit. Nga verifikimet e hetimet e mëvonshme, u mësua se vetëvrasja ka ardhur pas një tronditjeje të fortë psikologjikë që po kalonte babai i dy fëmijëve, i cili sipas burimeve dhe kolegëve të tij, prej disa ditësh kishte mësuar nga mjekët se kishte tumor.

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment