Gjirokastër, rindërtimi i kalldrëmeve, i vështirë

Kalldrëmet, një prej karakteristikave të veçanta të qytetit të Gjirokastrës, po dëmtohen dita ditës. Të ndërtuara nga mjeshtra të gurit, sot pjesa më madhe e tyre janë amortizuar dhe, megjithë ndërhyrjet apo edhe mirëmbajtjet e herë pashershme, ato nuk japin imazhin e dikurshëm.
Specialistët që dikur i kanë ndërtuar me aq mjeshtëri kalldrëmet, thonë se rindërtimi është i vështirë, pasi nuk aktivizohen më specialistët e dikurshëm e, madje, përdoren gurë të cilët janë të ndryshëm nga elementi i vërtetë që përdorej më parë.

“Për të bërë riparimin e kalldrëmeve që janë sot të dëmtuara duhet të ketë një poligon me bazë materiale me gurë të bardha, të zeza, me plaka ose kapak që i veshim mbi mure, të cilat kur dëmtohen menjëherë mund të bëhet riparimi i tyre”, tha Rakip Zhuli, Mjeshtër i gurit në Gjirokastër.

Puna për riparimin e kalldrëmeve bëhet nga njerëz të thjeshtë, ndërsa specialistët e vërtetë dhe mjeshtrat që kanë thurur kalldrëmet, janë harruar. Vetë banorët e qytetit shprehen më pak optimistë për rikthimin dhe restaurimin e kalldrëmeve si dikur, pasi, sipas tyre, megjithëse Gjirokastra mbart një sërë vlerash historike, shumë prej tyre janë lënë në harresë.

Kalldrëmet më të dëmtuara në qytetin muze mbeten në lagjen 11 Janari dhe Varosh.

Qendra e qytetit të Gjirokastrës është nën mbrojtjen e UNESCO-s si pasuri botërore. Ndërkohë që në dhjetor të 2010-ës, CNN e sugjeroi Gjirokastrën si pika kryesore që duhet vizituar në Shqipëri. Qyteti përshkruhet me kalldrëmet e tij, me ndërtesa të vjetra, me shumë atmosferë dhe shumë histori, raportoi BW.


(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment