Ekzekutohet për një fjalë 61-vjeçari

Një 61-vjeçar nga fshati Barbullush i Komunës Bushat në Shkodër u ekzekutua me armë zjarri nga fqinji i tij 38- vjeçar.Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth mesnatës së të premtes, në vendin e quajtur “Shtëpitë e tërmetit”, ku Ndoc Çeliku ka mbetur i vrarë rreth 100 m larg shtëpisë së tij. Në lidhje me këtë ngjarje, Policia e Shkodrës ka identifikuar si autor të krimit 38-vjeçarin Agim Gjata, fqinj i viktimës. Autori është arrestuar nga policia, pasi ka qenë i rrethuar në një zonë jo shumë larg vendit të ngjarjes dhe pas negociatave të gjata me policinë. Për arrestimin e Gjatës, krahas forcave policore të Drejtorisë së Policisë së Shkodrës janë angazhuar edhe forcat speciale të FNSH-së së Shkodrës dhe ato të RENEA-s Tiranë. “A e di se kush është më i fortë këtu?”. Kjo mendohet se ka qenë fjalia që ka shërbyer si zanafillë e grindjes mes të riut dhe 61-vjeçarit, e cila përfundoi në mënyrë tragjike, me vdekjen e këtij të fundit.
Nga hetimet paraprake policia ka mësuar se vrasja ka ndodhur për motive të dobëta. Ka qenë një grindje e çastit mes dy fqinjëve, e cila fillimisht ka nisur me debate me fjalë, është përshkallëzuar në konfrontim fizik dhe më pas është mbyllur me vrasjen e Çelikut. Nga marrja në pyetje e familjarëve të autorit të vrasjes si dhe të viktimës nuk mësohet që mes tyre të ketë pasur ndonjë konflikt të mëparshëm. Për momentin, është mësuar se debati ka qenë krejtësisht banal mes tyre dhe i çastit.
Rreth orëve të darkës, mes 61-vjeçarit, Ndoc Çeliku, dhe fqinjit të tij, Agim Gjata, ka filluar një debat krejt i rastësishëm. Debati ka nisur fillimisht me fjalë dhe më pas ka filluar të acarohet edhe më shumë. Pasi të dy personat nuk kanë mundur të kontrollojnë nervat e tyre, atëherë ato kanë filluar që të konfrontohen fizikisht. Një gjë të tillë, siç duket, 38-vjeçari Gjata nuk e ka kapërdirë, ndaj dhe ka vendosur që të hakmerret ndaj më të moshuarit. Për këtë ai ka shkuar në banesën e tij, ku ka marrë një automatik dhe i ka zënë pritë fqinjit. Rreth orës 23:40 të mbrëmjes, sapo e ka pikasur se 61-vjeçari po i afrohej banesës, Gjata e ka qëlluar me breshëri automatiku. Si pasojë e plumbave të marrë, Çeliku ka mbetur i vdekur në vend. Pas kësaj, Agimi së bashku me armen e krimit është larguar, duke përfituar nga errësira, në drejtim të paditur. Banorët e Barbullushit, të trembur nga krismat e kallashnikovit në atë orë të vonë të mbrëmjes, kanë dalë të shohin se çfarë ka ndodhur dhe janë tmerruar kur kanë parë të shtrirë përtokë dhe të përgjakur 61-vjeçarin Ndoc Çeliku. Policia mbërriti në vend me shpejtësi dhe nga këqyrja e kufomës është verifikuar se ai mbante në dorën e djathtë një levë hekuri, çka ka hedhur dyshimet se e kishte marrë për t’u mbrojtur në një tjetër konfrontim të mundshëm me Gjatën. Ky i fundit, pas arrestimit ka pohuar se ishte qëlluar me levë hekuri nga viktima dhe në gjaknxehtësi e sipër kishte marrë armën e zjarrit për të vënë “nderin” në vend.

Orët e rrethimit

Pasi kanë bërë identifikimin e autorit, që rezultonte të ishte shtetasi Agim Gjata, dhe kanë mësuar për drejtimin e largimit të autorit të vrasjes, forca të shumta policore janë vënë në ndjekje të tij. Krahas forcave të Komisariatit të Policisë së Shkodrës në ndjekje të Agimit janë thirrur edhe forcat speciale të FNSH-së së Shkodrës. Pas rreth 1 ore është bërë e mundur që të identifikohet vendstrehimi i 38-vjeçarit Gjata në një zonë malore dhe të pyllëzuar në periferi të fshatit Barbullush. Thirrjes fillestare për t’u dorëzuar i kërkuari i është përgjigjur në mënyrë negative. Duke ditur vështirësinë e një operacioni të tillë, për arrestimin e një personi të armatosur dhe në kushtet e një errësire të plotë, Policia e Shkodrës kërkoi ndihmën e forcave speciale RENEA. Me të kanë nisur negociatat, pasi është komunikuar dhe me familjarë të Gjatës dhe, vetëm rreth orës 05:00 të mëngjesit të së shtunës, ai pranoi të dorëzohej bashkë me armën e krimit, ku kishte dhe 21 fishekë.


(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment