Eduard Kukan: Rama duhet të pranojë vendimet e institucioneve ligjore.

“Duhet të respektohet vendimi i institucionit që është kompetent për të gjykuar çështjen e zgjedhjeve dhe apeli është se të gjithë duhet ta bëjnë këtë gjë”.Kështu është shprehur kryetari i delegacionit për Europën Juglindore në Parlamentin Evropian, Eduard Kukan, lidhur me situatën më të fundit politike në Shqipëri.

Sipas tij, procesi zgjedhor nuk ka mbaruar dhe po vazhdon ende numërimi i votave e do të jetë e rëndësishme, që kur ai të mbarojë, situata politike në Shqipëri të qetësohet.

“Unë po e shpresoj vërtet këtë sepse i kam parë deklaratat e zotit Rama dhe do të citoj vetëm njërën.

Ai ka thënë, se do të vazhdojë betejën ligjore.

Nëse ai vazhdon betejën ligjore, kjo është ok.

Pra, ankesa para institucioneve përkatëse është shumë e drejtë, por kur ai thotë këtë, ai duhet gjithashtu të pranojë vendimet e këtyre institucioneve ligjore”, pohon Kukan.

Duke theksuar se është e rëndësishme që të dëgjojmë më shumë pozitive për Shqipërinë.

Më tej, ai tha se Shqipëria është duke bërë punë të mirë sidomos për liberalizimin e vizave.

“Nuk ka ankesa që qytetarët shqiptarë po abuzojnë me sistemin siç është rasti i vendeve të tjera në rajon.

Pra, ju mund të bëni gjëra kur doni. Por mungesa e dialogut politik, në këtë aspekt asgjë nuk ka ndryshuar”, u shpreh ai.

Në fund, Kukan vuri në dukje faktin se është dialogu politik dhe vullneti politik që do të bëjë të mundur ecjen e vendit përpara në integrimin europian.

“Ne gjithmonë themi, që këtë mungesë dialogu e vuajnë qytetarët e Shqipërisë, ndaj politikanët shqiptarë duhet të venë interesin e qytetarëve si kryeprioritet.

Deri tani, nuk ka progres për dialogun politik, pasi qëndrimet janë të kundërta”, përfundoi ai.

(ama-news.al)



No comments:

Post a Comment