E braktisi dhe Barack Obama.

Kryeministri shqiptar ishte paralajmëruar kushedi sa herë që çdo lëvizje diplomatike ta bënte brenda normave të paqes ndërkombëtare, stabilitetit dhe miqësisë. Për këtë shkak iu dha besimi i tepruar dhe iu fal NATO.
Sali Berisha u ndje komod gjatë udhëheqjes së presidentit Xhorxh Bush. Madje u nderua edhe me një vizitë flash në Tiranë nga numri një i Shtëpisë së Bardhë. Por ai “muaj mjalti” duket se ka përfunduar që prej vitit 2009. Për hir të stabilitetit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbajtën një qëndrim konsekuent dhe permanent, duke këmbëngulur që partitë politike në Shqipëri të udhëhiqeshin nga dashuria për popullin, dhe jo për pushtetin, kurse dialogu ishte këshilla e vetme.

Mirëpo e dinin se në situata krize edhe vetë Berisha tejkalonte krizën personale, dhe gjithçka e kthente në inat. Ikja e Bushit dhe ngjitja në Shtëpinë e Bardhë të Barack Obamës, duket se solli një erë të re miqësish mes dy popujve. Kujtojmë ish-ambasadorin Xhon Uidhers, që në një prej kabllogrameve të publikuara nga
Uikiliks, pas 2009, theksonte se “Berisha është truri i vjedhjes së zgjedhjeve në Shqipëri”. Pra nuk kishte ndryshuar aspak nga Berisha i viteve 1995-1997. Por ndërsa kjo nuk i cenonte shumë marrëdhëniet dypalëshe, SHBA-të nuk mund të falnin kollaj “inatin” e Berishës. Dhe si në shprehjen popullore për “inat të
sime vjehrre, vete e flej me mullixhinë”, u hodh në krahët e botës lindore. Fill pas vitit 2009, u lidhën ura të ngushta miqësie me vendet arabe, edhe me ato që njihen si mike të Amerikës. Kujtojmë takime intensive të ambasadorit iranian në
Tiranë me ministra e qeveritarë.

Shkëmbime vizitash të shpeshta dhe atashimi i një ambasadori, i njohur si i afërm i një prej miqve të ngushtë të kryeministrit, por dhe me hije agjenture të shumëfishtë. Një prej kandidaturave për ambasador në SHBA, u kundërshtua fuqishëm prej Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Shtëpisë së Bardhë, për shkak se ishte i rritur me kulturën islamike dhe përbënte rrezik. Episode që dukeshin pa rëndësi, por që arritën kulmin dy vjet pas anëtarësimit në NATO. Rassmusen njoftohet se nëpërmjet Shqipërisë kishin dalë informacione tepër sekrete të shpërndara agjenturave serbe, ruse apo atyre islamike.

Informacionet sekrete ushtarake ndodheshin në duart e armiqve, dhe hyrja në sistemin sekret të kodifikuar ishte bërë nga persona që zotëronin certifikatat e sigurisë. Verifikimi i kryer konfirmoi se ndërhyrja ishte bërë nga pala shqiptare. Shkëmbime kabllogramesh të egra me paralajmërime ndaj Berishës, ndërrohet personeli ushtarak në NATO, dhe nisin hetimet. Lëvizin disa kuadro si përgjegjës, dhe emërohen në detyra të reja. Por spiunët ishin me imunitet dhe nuk u ndëshkuan asnjëherë. Ky episod u cilësua si një pakujdesi, por përsëritja e një precedenti në fillim të 2011, do të nxirrte në shesh një informacion ku të gjithë shqiptarët mësuan se disa prej deputetëve nuk ishin të besueshëm dhe dyshoheshin si agjentë të shumëfishtë. SHISH nuk garantonte certifikata sigurie dhe pastërtie për ta. Gjithsesi lëvizjet kontrolloheshin nga afër dhe vlerësohej se nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar.

Mirëpo aleancat e ngushta me qëllime ekonomike, Shqipëria nuk mund të merrte më borxhe në FMN apo BB dhe nga BE, për shkak të krizës së borxhit publik dhe asaj politike, e hedhin menjëherë Berishën në prehrin e një armiku të përbetuar të SHBA-ve. Miqësia me Iranin, vend me të cilin në 2009 u forcuan marrëdhëniet diplomatike. Në janar të vitit 2011, shefi i kabinetit të presidentit iranian Ahmedinexhad, bën një vizitë dy ditore blic, tepër të fshehtë, dhe për më tepër pa protokoll. Mashaye takohet personalisht me kryeministrin Berisha, kryeparlamentaren Topalli, ish-zëvendëskryeministrin Ilir Meta, presidentin Bamir Topi. Vizita shkakton skandal në Iran. Mediat dhe opozita iraniane kërkojnë llogari për një udhëtim pa protokoll. Mashaye për më tepër ishte përplasur në një takim formal për kulturën iraniane edhe me republikanin Sabri Godo. Amerikanët mësojnë për vizitën sekrete dhe vihen në alarm.

Po të njëjtën gjë bën edhe SHISH me strukturat e tij. Mashaye i thotë medieve iraniane se e kishte dërguar presidenti që t’i bënte një ftesë të veçantë homologut Bamir Topi, për festën kombëtare të Iranit që mbahej më 24 mars dhe ku ishin të ftuar edhe shumë lider të tjerë. Mirëpo ai takim nuk u mbajt kurrë. Topi nuk konfirmoi as vizitën, as takimin me Mashaye dhe as ftesën. Nën zë u tha se pazare shtetesh fshiheshin pas kësaj vizite, të cilave iu pre rruga, por kishte dhe prapaskenë ekonomike, biznesesh në fushën e energjisë bërthamore. Mbeti një vizitë mister, por vetëm 8 ditë pas kthimit të Mashaye në Iran, Tirana u kthye në një pellg gjaku. Më 21 janar u vranë 4 protestues në Bulevard të opozitës nga Garda e Republikës. Dhe ndodhën ato që ndodhën më pas. Por Berisha nuk u tërhoq. Iu bind kërcënimit të mos afrohej me Iranin, por nuk la pas “nepsin” e tij për para dhe lobing.

Një muaj pas masakrës në bulevard, arrin një marrëveshje tjetër të fshehtë me Bankën Islamike në Turqi. Mendohet se ndërmjetëm i fuqishëm ishte përsëri Irani, si garant i kredisë 350 milionë dollarë, një nga më të mëdhatë, që u tha se do përdorej në rrugën Tiranë-Elbasan. Kredi me 5 për qind interes në 20 vjet. Aty përfshihej edhe një fond 50 milionë euro i falur nga qeveria kuvajtiane. Posaçërisht për ndërtimin e tunelit 4,2 kilometra i gjatë, por më parë Kuvajti i kishte falur edhe bashkëshortes së kryeministrit për Fondacionin “Fëmijët Shqiptarë” një fond prej 250 mijë eurosh gjatë një vizite që ajo pati në këtë vend. Më tej “dashuria” për “Lidhjen Islamike” u shtri edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe. Zëvendësministri i Ekonomisë niset me urgjencë dhe mbyll një marrëveshje 160 milionë dollarë për Parlamentin e ri që do ndërtohet.

Marrëveshja u arrit në Abu Dhabi. Në këtë vend kujtojmë se disa vite më parë udhëtoi dhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli, ku njihet i bujshëm soditja e saj me motor. Vetëm pak ditë më pas dukej qartë se edhe ky vend i pasur ia kishte zënë “kokën me derë” kryeministrit shqiptar. Ambasadorit me njohje të mirë të botës arabe i kërkohet vetëm një nder. Forcimi i bashkëpunimit mes Gjysmëhënës së Kuqe dhe Shqipërisë. Marrëveshja humanitare dhe në kohë lufte për ndihmat. Kjo organizatë, koivalente e Kryqit të Kuq, ka shërbyer në Kosovë gjatë luftës dhe ka pasur gjithashtu zyra në Shqipëri, që pak e nga pak u shtryllën si pasojë e nismave antiterrorizëm 1998-2005. Këto lëvizje që dikur përkonin dhe me zhdukjen nga ambasada shqiptare në Nju Jork e një lap-topi me informacione tepër sekrete të Ministrisë së Jashtme shqiptare, kanë hedhur në aksion edhe agjencitë ligjzbatuese të ruajtjes së sigurisë në SHBA. FBI dhe CIA janë vënë në alarm, pasi ishte tronditur kredibiliteti dhe nuk kishin më siguri dhe besim te partnerët shqiptarë.

Aktualisht gjithçka është nën verifikim, lufta e ftohtë është sipërfaqësore, por jo e padukshme. Kriza më e fundit politike, që duket e qëllimshme dhe tendencioze nga ana e kryeministrit Berisha, në sfond ka pikërisht dëshirën e tij për t’iu kthyer historive dhe miqësive të vjetra. Liberalizimi i vizave me vendet ish-sovjetike është një kërcënim i hapur ndaj interesave amerikane në rajon dhe për më tepër rrezik për BE-në. Këto dy formacione nuk dëshirojnë fuqizim të Rusisë, duke përdorur “Kalin e Trojës”, teksa aktualisht Tirana zyrtare ka liberalizuar vizat me Rusinë, Ukrainën, Azerbajxhanin, Armeninë, Kazakistanin, Kinën dhe së fundi Tajvanin. Nga ana tjetër sapo janë forcuar lidhjet edhe me Katarin. Por njihet pozicioni strategjik i Shqipërisë, megjithëse një vend i varfër.

Dhe kërcënimi është serioz. Meqenëse Perëndimi dhe SHBA mbyllën rubinetin e parave për kryeministrin shqiptar, ky i fundit po kërkon në burimet e vjetra të naftës në botën arabe, apo të gazit në ish-Bashkimin Sovjetik. Miqësitë e reja i hapin rrugën këtyre vendeve që të krijojnë bllokun e madh me një dalje, apo shteg sekret, që e ka emrin Shqipëri. Aktualisht BE dhe SHBA janë në dilemë të madhe. Të punojnë me një njeri të paqëndrueshëm, që u rrezikon stabilitetin, interesat ekonomike dhe gjeo-politikën ushtarake, apo të kërkojnë aleanca të reja në të mirë të qetësisë në Ballkan dhe të ardhmes së projekteve të tyre.

Shenjat e para sapo janë dhënë fuqishëm. SHBA-të nuk kanë më ambasador në Tiranë dhe duket se ka ndërruar linja diplomatiko-politike. Drejtues të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit kanë shkëputur si në “luftën e ftohtë” marrëdhëniet me qeverinë dhe kryeministrin Sali Berisha. Të njëjtën gjë kanë bërë dhe lider me emër të së djathtës në Evropë, që nuk përfillin më një
kryeministër jo serioz. Edhe BE sapo ka nisur një erë të re bashkëpunimi me forca të reja në vend, në të mirë të popullit shqiptar dhe stabilitetit në rajon. Tashmë kërcënimet e Berishës nuk po “pinë” më ujë. Dhe për të kuptuar këtë fakt, mjaftojmë të lexojmë deklaratën e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, e firmosur vetëm pak orë më parë. Shtyhet
Gjendja e Emergjencës në Ballkanin Perëndimor, për shkak se disa individë kërcënojnë rrezikshëm këtë stabilitet dhe projektet e paqes politike dhe ekonomike.

Dhe kur flitet për individë, kuptohet se ata janë njerëz me tepër pushtet, të rrezikshëm, që kanë pasur precedentë të tillë të mëparshëm. Nuk flitet për grupe të trafikut të njerëzve, prostitucionit, apo ndonjë vrasës ordiner. Flitet për formacione politike që po “lobojnë” për të prishur punë ndaj BE-së dhe SHBA-ve. Përmendet Maqedonia, Marrëveshja e Ohrit, Kosova dhe aty bën pjesë dhe Shqipëria. Që prej ditës së sotme, për kryeministrin tonë ka nisur izolimi i dytë. Dhe ky është izolimi i madh, ku mund të thuhet me plotë gojë, se këtë herë, ai po luan vërtet me zjarrin.



(ama-news.al)


No comments:

Post a Comment