Debatet në Asamble, Ruçi: Po e bëjmë fitoren humbje

Pas fjalës së kryetarit socialist Edi Rama në Asamblenë Kombëtare, nuk kanë munguar diskutimet. Në thelb të tyre ishte një këndvështrim tjetër i qëndrimeve të deritanishme të PS-së.Fakti që mbledhja e ardhshme e Asamblesë do të jetë pas dy javësh, anëtarët e saj ishin disi të rezervuar për të marrë fjalën dhe për të parashtruar mendimet e tyre për të ardhmen e PS. Ashtu siç kishte artikuluar dhe herë të tjera, nënkryetari i Grupit Parlamentar socialist, Erion Braçe, kërkoi që deputetët socialistë të kthehen menjëherë në Parlament, ndërsa kundërshtimi i qeverisë të bëhet në të gjitha institucionet, pa përjashtuar protestat. “Në Pparlament duhet të jemi të organizuar mirë. Dita e buxhetit duhet të jetë një ditë proteste e madhe jashtë Parlamentit dhe e betejës sonë brenda me fakte dhe argumente. Por ne duhet të jemi të qartë para shqiptarëve në atë se kë përfaqësojmë në këtë politikëbërje”, mësohet të jetë shprehur Braçe.
Kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, kërkoi nga të gjithë anëtarët e këtij forumi një angazhim dyjavor për të marrë kontakte me qytetarët, mbështetësit dhe strukturat e PS për të ndarë me ta fitoren e 8 majit. “Duhet të lëmë mënjanë në këtë periudhë rezervat dhe deklaratat, të merremi me këtë kontakt me popullin dhe ta bëjmë mirë. Berisha është mjeshtër që ta kthejë humbjen në fitore, ndërsa ne nuk mundemi ta bëjmë fitoren pronën tonë, madje ndonjëherë e trajtojmë dhe si humbje. Duhet t’i sqarojmë njerëzve se ne jemi alternativa më e mirë për vendin. Të bëhet kujdes se aty ku ne kemi fituar bashkitë, të fitojmë dhe qarqet”, është shprehur Ruçi.
Ndërsa ish-ministrja socialiste e Integrimit, Ermelinda Meksi, kërkoi vlerësim dhe angazhim nga ana e PS-së të elitave të saj politike. “Ka ardhur koha që elitat politike të Partisë Socialiste të përpunojnë të gjitha veprimet politike afatshkurtra dhe afatgjata. Nëse kontestojmë privatizimet e hidrocentraleve dhe themi se jemi kundër, kjo mbetet në suazën e propagandës. Personalitetet tona të fushës duhet të japin të gjitha opsionet e këtij procesi dhe të themi se si bëhet më mirë. Mos ka ardhur koha që të sjellin në vëmendje për këtë çështje referendumin si në Itali, duke treguar në këtë mënyrë fytyrën tonë europiane sipas precedentëve më progresivë? Ne duhet të operojmë me plane veprimi me afate të përcaktuara, dhe jo deklarata politike. Kjo ekspertizë është e nevojshme jo vetëm në ekonomi, por dhe për çështje të integrimit, programit etj.”, mësohet të ketë thënë Meksi, propozime që janë duartrokitur nga anëtarët e Asamblesë.
Anëtari i Asamblesë Kombëtare, Ilir Zela, në fjalën e tij tha se marrja e pushtetit nga ana e PS-së kërkon kontributin e të gjithëve. “PS është parti nr. 1, por kjo nuk mjafton që të shkojmë në pushtet. Kjo kërkon bashkim të të gjithë faktorëve. Ajo që unë pashë në këto zgjedhje ishte një tendencë seleksionuese e atyre që u morën me fushatën. Partia nuk duhet të stigmatizojë ata njerëz që kanë dhënë ndër vite kontribute për PS”, mësohet të ketë thënë Zela.

Diskutimet në Asamblenë e PS

Gramoz Ruçi: Gjatë këtyre dy javëve të shkojnë të gjithë anëtarët e Asamblesë dhe deputetët dhe t’u tregojnë strukturave dhe mbështetësve tanë se ne kemi fituar në 2/3 e vendit dhe se ne dimë të qeverisim. Duhet të lëmë mënjanë në këtë periudhë rezervat dhe deklaratat, të merremi me këtë kontakt me popullin dhe ta bëjmë mirë. Berisha është mjeshtër që ta kthejë humbjen në fitore, ndërsa ne nuk mundemi ta bëjmë fitoren pronën tonë, madje ndonjëherë e trajtojmë dhe si humbje. Duhet t’ua sqarojmë njerëzve se ne jemi alternativa më e mirë për vendin. Të bëhet kujdes se aty ku ne kemi fituar bashkitë, të fitojmë dhe qarqet.
Erion Braçe: Partia Socialiste ka treguar se është alternativa më e mirë për vendin, por kjo prapë nuk ka mjaftuar. Ne duhet të zhvillojmë një opozitë të strukturuar mirë dhe të jemi përballë Saliut kudo ku ai është, në Parlament, në institucione të varura dhe të pavarura, por dhe në rrugë. Por kjo kërkon qartësimin tonë në radhë të parë. Unë mendoj se duhet të ngremë një komitet me bashkiakët tanë fitues, ku të përçohet pakti qytetar dhe të tregojmë modelin më të mirë tonin qeverisës. Në Parlament duhet të jemi të organizuar mirë. Dita e buxhetit duhet të jetë një ditë proteste e madhe jashtë Parlamentit dhe e betejës sonë brenda me fakte dhe argumente. Por ne duhet të jemi të qartë para shqiptarëve në atë se kë përfaqësojmë në këtë politikëbërje.
Blendi Klosi: Ne duhet të nisim dhe të ndërtojmë fitoren e sfidës së ardhshme, pasi kemi një bazë të mjaftueshme për ta bërë, qeverisim në 2/3 e vendit. Por, në zgjedhjet e 8 majit ka pasur raste që aty ku kishte disa kandidatë të PS-së, njëri u kualifikua, ndërsa të tjerët kanë punuar kundër. Ky nuk ishte vendim i një individi, por i forumeve ku u pa si njeriu favorit për të fituar atë njësi.
Bashkim Fino: Unë ju kam thënë me kohë që duhen përjashtime të atyre që kanë luftuar kundër PS-së.
Arben Malaj: Ne duhet të rrisim interesin publik të njerëzve të përkushtuar dhe të kualifikuar për t’i shërbyer politikës. Ata duhet të ftohen dhe nxiten që të marrin pjesë në politikë si një e mirë publike për të ardhmen e vendit të tyre. PS duhet të ketë dhe të ndajë me publikun një vizion të qartë dhe parime shumë të rëndësishme të hapjes së saj për sfidat e integrimit të vendit. Në rast të kundërt, ne nuk do të fitojmë mbështetjen që besojmë. Fitorja do të jetë e vështirë dhe, për më tepër, qeverisja do të jetë shumë e vështirë.
Ermelinda Meksi: Ka ardhur koha që elitat politike të Partisë Socialiste të përpunojnë të gjitha veprimet politike afatshkurtra dhe afatgjata. Nëse kontestojmë privatizimet e hidrocentraleve dhe themi se jemi kundër, kjo mbetet në suazën e propagandës. Personalitetet tona të fushës duhet të japin të gjitha opsionet e këtij procesi dhe të themi se si bëhet më mirë. Mos ka ardhur koha që të sjellin në vëmendje për këtë çështje referendumin si në Itali, duke treguar në këtë mënyrë fytyrën tonë europiane sipas precedentëve më progresivë? Ne duhet të operojmë me plane veprimi me afate të përcaktuara, dhe jo deklarata politike. Kjo ekspertizë është e nevojshme jo vetëm në ekonomi, por dhe për çështje të integrimit, programit etj. (Duartrokitet).

Klosi: PS, përgatitje për zgjedhjet e ardhshme

Sekretari Organizativ në PS, Blendi Klosi, tha dje pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare se PS hyn në një etapë përgatitjesh për zgjedhjet e ardhshme. “Më e rëndësishme sot në diskutimin e gjithë Asamblesë së PS ishte situata politike në vend dhe vendimmarrja e kësaj asambleje për të pasur një proces bashkëbisedimi me të gjithë qytetarët shqiptarë. Për të pasur një diskutim me të gjitha zonat elektorale ku PS pati rezultate pozitive, por dhe aty ku ne duhet të kishim rezultate më të mira. Në këto kushte, u vendos që në dyjavëshin në vazhdim të ketë një shpërndarje të të gjithë anëtarëve të Asamblesë, të deleguar në të gjitha strukturat e PS-së, për të filluar analizën me këto struktura, për të filluar debatin me këto struktura dhe, natyrisht, për të bërë atë më të rëndësishmen për një parti politike: dëgjimin me vëmendje të çdo mendimi, ideje apo kontributi që do të japin mbështetësit e partisë sonë për të përgatitur një strategji të re elektorale për zgjedhjet e ardhshme; që për PS-në duhet të jenë sa më shpejt, pasi vendi është futur në një krizë të thellë ekonomike dhe institucionale, të cilat nuk mund të zgjidhen përveçse me zgjedhje të parakohshme.

Shtyhet dy javë nisja e zgjedhjeve brenda PS

Partia Socialiste ka shtyrë për dy javë nisjen e fushatës zgjedhore në të gjitha strukturat e saj. Edhe pse pritej që nisja e fushatës të bëhej në mbledhjen e djeshme, ajo është shtyrë në minutën e fundit. Shkak për këtë mësohet se është procesi ende i hapur në Tiranë, ku pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, KQZ do të hapë të gjitha kutitë e Tiranës për rinumërim dhe rivlerësim. Gjithashtu, është menduar që këto dy javë të shërbejnë për të prezantuar në të gjithë vendin fituesit në ato bashki dhe komuna ku PS ka fituar dhe bashkë me këtë proces të marrë nga qytetarët mendime se cili duhet të jetë pozicioni i PS-së ndaj qeverisë, në Parlament dhe në institucionet e tjera. Fushata zgjedhore që do të nisë me zgjedhjet e kryetarëve të organizatave socialiste e do të mbarojë me kongresin e PS-së, që do të mbahet në fund të tetorit, do të rinovojë Asamblenë Kombëtare, por dhe Kryesinë e Sekretariatin e saj. Pritet që në kongresin e PS të merren dhe vendimet e pritshme për opozitëbërjen dhe përgatitjet e saj për zgjedhjet e ardhshme.



(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment