Cefa: Kthimi i pronave, kompensim disa herë brenda vitit

Plan i ri veprimi për kompensimin e ish pronarëve. Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Elvis Cefa tha dje se, brenda vitit 2011, pritet të vihet në punë plan-veprimi i ri për kthimin dhe kompensimin e pronave. Një strategji e tillë, e cila është miratuar tashmë me vendim të Këshillit të Ministrave, do të bëjë të mundur kompensimin financiar të ish-pronarëve në çdo kohë, madje edhe disa herë brenda një viti.
Cefa tha se, rëndësia e këtij plan-veprimi është mundësia për të pasur një afat kohor për mbylljen e procesit kompensues. “Plan-veprimi hyn në fuqi që këtë vit, që domethënë pjesë e tij do të jetë çdo vendim që merret këtë vit, në lidhje me kompensimin e pronave, sikurse është regjistri dixhital, e të tjerat në vazhdim.

Ne do të kryejmë kompensim sa herë që të kemi një fond, pa pasur nevojë të presim vendime të përvitshme të Këshillit të Ministrave”, tha ai. Kështu, AKKP-ja në kohë reale është në gjendje të kontrollojë situatën hartografike dhe juridike të dosjes, mbi bazën e së cilës janë dhënë vendimet e kompensimit. Mbivendosjet e mundshme hartografike të vendimeve për kompensim do të dalin të qarta nga baza e të dhënave. Ndërtimi i kësaj baze të dhënash, parashikohet të jetë në shumën 900 000 euro. Burimi i fondeve pritet të përcaktohet së shpejti. 

Nga ana e saj, baza e dixhitalizuar e të dhënave e AKKP-së, në aspekt hartografik, do të ndërtohet (programohet) mbi hartat e standardizuara të prodhuara nga Agjencia Kombëtare për Prodhimin e Hartave të Standardizuara. Duke qenë se të gjitha institucionet do të punojnë me të njëjtin model të standardizuar harte, informacioni hartografik dhe ligjor që ato prodhojnë do të jetë plotësisht i shkëmbyeshëm mes tyre. Subjektet e shpronësuara që disponojnë vendime kompensimi përfundimtare dhe të ekzekutueshme, brenda një afati prekluziv që do të përcaktohet me ligj, do të shprehin vullnetin e tyre (nëpërmjet një formulari tip të miratuar nga Ministri i Drejtësisë dhe që do të depozitohet në AKKP), për të përfituar kompensim financiar sipas skemës së re. 

Në funksion të një koordinimi dhe ecurie më të mirë të problematikës së pronave në Shqipëri, do të ngrihet një strukturë pranë Ministrisë së Drejtësisë. Kjo strukturë përgatit, ndjek dhe realizon politikat dhe veprimtaritë, që lidhen me hartimin e studimeve në fushën e legjislacionit për të drejtat e pronësisë, kryen dhe përfundon analizat tekniko-ligjore të vlerësimit, të efektivitetit të legjislacionit, harmonizimin tekniko-ligjor të brendshëm të legjislacionit për të drejtat e pronësisë. 

Përsa i përket kompensimit financiar të këtij viti, Cefa konfirmoi se kërkesat nga ana e subjekteve kanë qenë të larta dhe duke konsideruar dosjet e deritanishme, numri i përfituesit mund të shkojë deri në 200. Në lidhje me kompensimin fizik, kreu i AKKP-së theksoi se do të duhen të paktën 3 vjet të tjera për të qartësuar fondin përfundimtar fizik, që do të shkojë për kompensim. Plan-veprimi i ri i qeverisë për kthimin dhe kompensimin e pronave do të nisë të implementohet brenda këtij viti, ndërsa që nga janari i vitit 2013 kjo praktikë e re do të ekzekutohet.




(www.mapo.al)

No comments:

Post a Comment