Bruksel: S’ka “frenim të procesit”, vazhdimi në fund të qershorit

Shtyrjen e raundit të pestë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, që ishte caktuar për 14 e 15 qershor, në Bruksel nuk e shohin si “frenim të procesit” dhe paralajmërojnë vazhdimin e negociatave në fund të qershorit. Gjithashtu në Bruksel theksojnë se nuk ka pasur ngecje, por që të dyja palëve t’u jipet më shumë kohë që përfundimisht të dakordohen, të paktën për disa nga çështjet e hapura.
“Vazhdimi i dialogut është shtyrë që të përfundojnë përgatitjet interne, që janë të domosdoshme për marrëveshje konkrete”, ka deklaruar për shtypin serb, Maja Kociançiç, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të BE-së, Ketrin Eshton, nën kujdesin e së cilës Robert Kuper ndërmjetëson në negociatat ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Duket qartë që ekipet nuk e kanë lehtë që të kapërcejnë dallimet e mëdha dhe të të bashkohen të paktën në një pikë. Për këtë arsye këto ditë po zhvillohet një “shatëll-diplomaci” intensive në mënyrë që raundi i radhës të sjellë rezultate konkrete. Shefi i ekipit serb Borko Stefanoviq i ka deklaruar gazetës “Veçernje novosti” se pret vazhdimin e bisedimeve nga fundi i qershorit, ndërkohë që shrehet optimist edhe sa i përket rezultateve. “Ka gjasa që të arrijmë marrëveshje që në qershor rreth lirisë së lëvizjes, kadastrit, librave amzë, telekomit. Kemi video-konferenca të shpeshta. Prishtina dëshiron që të tregojë sesi Beogradi po frenon procesin dhe nuk jemi konstruktivë, por kjo thjesht nuk është e saktë. Mund të pritet që ata të përgatisin edhe interpretimin e tyre të marrëveshjes së ardhshme për opinionin publik kosovar. Ne nuk do të biem në grackën e këtyre provokimeve”, thotë Stefanoviq.

(rtv21.tv)

No comments:

Post a Comment