Berisha: Qendrimi i BE-së të lexohet njësoj nga të gjithë

Në kohën që Bashkimi Europian pritet që të mbajë një qendrim të ashpër për qeverinë në lidhje me zgjedhjet, kryeministri Berisha ka kërkuar që deklarata e BE-së të lexohet njësoj nga të gjitha palët.

Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, Berisha ka thënë se në Luksemburg do të bëhet një thirrje për të mirën e vendit. Ajo që nuk dihet, është nëse Berisha do ta mirëpresë këtë thirrje, pasi ajo ka të bëjë me degradimin në të cilin ka hyrë vendi ynë.

“Bashkimi Europian kërkon respektimin e shtetit ligjor. Takimi i sotëm i Luksemburgut është një thirrje për të mirën e këtij vendi, është një ofertë jashtëzakonisht e rëndësishme, në mënyrë që procesi i integrimit të vendit në BE të ecë me ritmet e merituara. Uroj që të lexohet njëlloj nga të gjitha forcat politike të vendit. Grantoj partnerët tanë se qeveria do të bëjë gjithçka për funksionimin e shtetit ligjor, dialogun dhe bashkëpunimin”, ka thënë Berisha gjatë fjalës së tij.

Berisha ka shprehur vlerësimin për atë që po ndodh në KQZ, duke thënë se është procesi më transparent.

“Dua të shpreh vlerësimin për shkallën më të madhe të transparencës në procesin e zgjedhjeve dhe vendosmërinë për të respektuar vendimin e institucioneve të pavarura. Kjo që po ndodh në Shqipëri është dëshmi e pakundërshtueshme e funksionimit të shtetit ligjor”, tha ai.

Berisha ka thënë se është i hapur që t’i bëjë lëshime dhe të pranojë propozimet e opozitës për Kodin e ri zgjedhor, ndërsa ka thënë se është i gatshëm për një system numërimi elektronik.

‘Dua të ftoj opozitën që të hartojë amandamente, ti dërgojë ato në komisionin e Venecia dhe OSBE dhe ne do t’i miratojmë. Kjo është fryma e kompromisit më të madh. Numërimi elektronik do të ishte përgjigjia më e shkëlqyëer e disa diskutimeve të panevojshme. Qeveria është e gatshme të vendosë sistemin më të sigurtë dhe më të besueshëm që ekziston në ndonjë vend. Sistemi elektronik do të bënte të mundur edhe votimin e emigrantëve. Është në detyrimin tonë moral që t’u krijojmë atyre mundësinë të votojnë”, tha Berisha.

(ama-news.al)

No comments:

Post a Comment