Berisha, mirënjohje për SHBA-në dhe diasporën

Kryeministri Sali Berisha shprehu të dielën mirënjohje të thellë ndaj SHBA-së dhe diasporës shqiptare për ndihmën që kanë dhënë në çështjen shqiptare.

Zoti Berisha mbajti fjalën në ekspozitën me temë “Amerika për Kosovën”, e cila u mbajt me rastin e 12 qershorit, Dita e Paqes së Kosovës, në ambjentet e Muzeut Historik Kombëtar.

Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që me këtë ekspozitë nderohen ata që aq shumë ndikuan në historinë e kombit tonë dhe vlerësoi kontributin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për lirinë e kombit shqiptar.

“Shqiptarët kanë pasur shtypje e pushtime nga më të egrat, por gjithnjë kanë pasur në anën e tyre kombin e madh të lirisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha zoti Berisha dhe shtoi se kombi ynë, pas kombit hebre, ka pasur historinë më të vështirë e më të dhimbshme.

Kryeministri Berisha theksoi se meritë të jashtëzakonshmë në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare ka diaspora e cila “ishte ndër më të zjarrtat dhe ndër më atdhetaret”, pasi arriti të paraqesë çështjet e drejta të shqiptarëve tek udhëheqja ndërkombëtare, “në një kohë kur vetë Kosova ishte provincë e harruar për kontinentin”.

Ai rikujtoi në fjalën e tij se ishte Bob Dol ai që vizitoi Kosovën dhe u tha zyrtarëve të lartë amerikanë se atje ka “shtypje çnjerëzore, të patolerueshme”.

Duke u ndalur Kosovën e sotme, të lirë e të pavarur, Kryeministri Berisha tha se “në themelet e pavarësisë së saj është gjaku i bijve e bijave të Kosovës, lumenjtë e gjakut të gjeneratave të tëra që nuk u pajtuan me pushtimin barbar”.

Zoti Berisha shprehu edhe një herë mirënjohjen e thellë ndaj kontributit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke thënë se “çfarëdo që të bëjnë ne për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk do mund të bëjmë dot kurrë atë që ata bëjnë për ne”.

Në këtë ceremoni përshëndetën edhe personalitete të tjera të pranishme. Zyrtarët nga Kosova falënderuan kryeministrin Berisha për kontributin e tij të pamatshëm në çështjen e Kosovës.

Ekspozita u mbajt nën kujdesin e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, dhe u organizua nga Ministria e Diasporës e Kosovës, Muzeu i Kosovës, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve e Kosovës, në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar të Shqipërisë. /Telegrafi/

No comments:

Post a Comment