Berisha: Fitorja e ngushtë e Bashës, test për procesin ligjor

Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim të veçantë ministrin për Europën të Mbretërisë së Bashkuar, Lidington, me të cilin foli edhe mbi situatën pas zgjedhjeve lokale të 8 majit. Sipas njoftimit zyrtar të Kryeministrisë, zyrtari i lartë britanik mbështeti parimin që çdo votë duhet numëruar. “Pasi mbështeti plotësisht parimin që çdo votë duhet numëruar, ministri Lidington theksoi se në përfundim të procesit zgjedhor palët duhet të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre kushtetuese, institucionale dhe politike në Parlament dhe organet e tjera të zgjedhura. Në mënyrë të veçantë ai theksoi se roli i vërtetë opozitës është në institucione, dhe jo në rrugë. Ai vlerësoi se bashkëpunimi me vullnet të mirë brenda institucioneve, në plotësimin e detyrimeve në kuadrin e integrimit europian, është garanci për një integrim të suksesshëm të Shqipërisë në BE”, thuhet në njoftimin zyrtar të Kryeministrisë. Kryeministri Berisha, duke nënvizuar përmirësimet e infrastrukturës zgjedhore në dy vitet e fundit, i konsideroi zgjedhjet e 8 majit si zgjedhjet më të mira dhe transparente të zhvilluara deri më sot. “Berisha u shpreh i vendosur për garantimin e barazisë së votës dhe numërimit të drejtë të çdo vote të hedhur nga qytetarët shqiptarë. Duke u ndalur te rezultati i ngushtë me të cilin kandidati i Partisë Demokratike fitoi Bashkinë e Tiranës, ai theksoi se një rezultat i tillë ishte një test shumë i rëndësishëm dhe i suksesshëm për funksionimin e drejtë të procesit ligjor dhe profesionalizmin e institucioneve të mandatuara për certifikimin përfundimtar të zgjedhjeve”, thuhet më tej në njoftimin e Kryeministrisë. Në përfundim, kryeministri Berisha i kërkoi ministrit Lidington që t’i përcjellë ftesën, për një vizitë në Shqipëri, kryeministrit britanik Kameron dhe ministrit të Jashtëm, Uilliam Hague.

Integrimi

Sipas njoftimit zyrtar, ministri Lidington e siguroi kryeministrin Berisha se Mbretëria e Bashkuar është një mbështetëse kryesore dhe e fuqishme e zgjerimit të Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në mënyrë të veçantë e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Ai theksoi se plotësimi i kritereve të vendosura nga Komisioni Europian e bëjnë procesin e anëtarësimit të besueshëm dhe solid. Kryeministri Berisha garantoi se qeveria shqiptare po punon me angazhim maksimal për të përmbushur të gjitha detyrimet që Shqipëria ka në kuadrin e integrimit në BE.

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment