Berisha: Barazia gjinore objektiv madhor i shoqërisë

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave të zhvilluar ditën e djeshme kryeministri shqiptar Berisha u ndal në vendimin “Për miratimin e Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore dhe reduktimin e Dhunës me bazë Gjinore e Dhunës në Familje (2011-2015) dhe të planit të veprimit për zbatimin e saj.

- Në barazinë gjinore qëndrojnë potencialet e mëdha njerëzore të një shoqërie, shpalosja e të cilave, jo vetëm e bën shoqërinë më të drejtë, por e bën atë shumë më të zhvilluar, më të begatë, më të lirë.

- Duhet të bëjmë çdo gjë që me përparësi të mbështesim karrierën e grave dhe vajzave, si një kusht përcaktues dhe jashtëzakonisht i rëndësishëm në drejtim të barazisë gjinore.

Duke e vlerësuar strategjinë si një dokument me rëndësi kapitale për shoqërinë shqiptare, për liritë dhe të drejtat e saj themelore, kryeministri Berisha kërkoi që ky dokument të zbërthehet me përparësi nga të gjitha ministritë e linjës dhe agjencitë në varësi të qeverisë.

Kryeministri theksoi se qeveria, agjencitë e saj, shoqëria civile dhe shoqëria në tërësi duhet të kenë motivin, përkushtimin dhe vendosmërinë për të mundësuar realizimin e barazisë gjinore, të burrit me gruan, nënës me babanë, motrës me vëllain, në shoqërinë shqiptare. Në këtë kontekst, kryeministri nënvizoi se kjo barazi nënkupton para së gjithash barazinë në burime dhe përfitime, ku pabarazia është reale. “Sipas studimeve, në vitin 2005 diferenca në pagën mesatare midis burrave e grave në Shqipëri ka qenë 34 përqind. Kjo kryesisht për shkak të sektorit privat, ku drejtuesit e sipërmarrjeve në tërësi kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë burra. Por këtu kontribut ka pasur dhe sektori publik. Gjatë këtyre viteve mendoj se kjo përqindje nuk ekziston, por nuk mund të them në asnjë mënyrë se është zhdukur pabarazia.”, u shpreh kryeministri.

Kryeministri u shpreh se me ndërhyrjen që qeveria ka bërë në rroga, si në rrogat e mësuesve, infermierëve, mjekëve, profesione këto të dominuara gjerësisht nga vajzat dhe gratë, ka sjellë një ngushtim të dallimit në rroga midis burrave e grave, por, theksoi kryeministri, mbetet ende shumë për të bërë, për ta zhdukur plotësisht këtë diferencë.

Duke theksuar rëndësinë e jashtëzakonshme që merr sistemi i kreditimit në këtë çështje, kryeministri u shpreh se çdo ndikim i qeverisë në sistemin e kreditimit, në ato shuma që ajo disponon, duke filluar nga grantet që jepen, mbështetja qe u jepet Sipërmarrjeve të Mesme dhe të Vogla (SME), kreditë që u jepen këtyre sipërmarrjeve, fondi i konkurrencës, fondi i eksporteve, si dhe të gjitha burimet publike duhet të përparësojnë në mënyrë të qartë, veprimtarinë e grave. “ Të gjitha grantet që u jepen fermerëve shqiptarë duhet t’u adresohen zonjave të shtëpisë. Populli ka krijuar bashkëkryesi, thotë zoti dhe zonja. De facto dhe de jure kjo do të thotë bashkëkryetar në familje. Ndaj dhe le t’i shkojë kjo gjysmës më të përgjegjshme të familjes, si një përpjekje e jona për tu barazuar aksesin në burime dhe përfitime. Të bëjmë gjithçka në mënyrë që nëpërmjet kësaj përpjekje vajzat e gratë të mund të shpalosin të gjitha potencialet e tyre, të iniciativës së lirë, potencialet e tyre krijuese, në shoqërinë shqiptare”, u shpreh kryeministri.
(albanews.gr)

No comments:

Post a Comment