Bashkimi arsimor

Diplomat e përbashkëta, njësimi i plotë i planprogrameve e teksteve mësimore dhe fonde të përbashkëta për shkencën ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë diskutuar të premten në Tiranë. E në Prishtinë, Adem Demaçi dhe Lidhja e Shkrimtarëve nuk kanë thënë hiç fjalë të mira për planprogramet dhe tekstet e lëndës së Letërsisë.

Diploma të përbashkëta, për studentët nga Kosova dhe Shqipëria, mund të lëshohen në të ardhmen, bënë të ditur ministrat e Arsimit të Kosovës dhe Shqipërisë, Ramë Buja e Myqerem Tafaj, gjatë një takimi në Tiranë, të premten. Ata, madje, biseduan për detaje të konkretizimit të kësaj nisme, ashtu si dhe për për integrimin e programeve dhe teksteve dhe për një fond të përbashkët për shkencën.

Përveç me homologun Tafaj, Buja u takua edhe me kryeministrin Sali Berisha, i cili tha se nuk ka asgjë më themelore se bashkëpunimi në fushën e arsimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas tij, sa më shpejt duhet të kapërcehen ndasitë e padrejta.

“Duhet të bëjmë përpjekje ta zhvillojmë arsimin sa më shumë me standarde të njëjta”, ka theksuar ai.

Duke përmendur rëndësinë shumë të madhe që ka zbatimi i marrëveshjes së përbashkët ndërmjet ministrive të Arsimit të të dy vendeve, Berisha tha se duhet të ecet me standarde të njejta në fushën e arsimit në mbarë kombin.

“Është e nevojshme të ecim drejt njësimit të plotë të planprogrameve dhe teksteve, nisur nga tekstet bazë e deri tek ato që duhen përkthyer”.

Shqipëria tash ndan kuota mbi 2 për qind për studimet bachelor, për studentët shqiptarë nga Kosova dhe vendet ku jetojnë shqiptarët, ndërsa për studime të doktoratës rreth 10 për qind.

Ministri Tafaj tha se në shkencat albanologjike nuk ka fare kuota dhe të interesuarit nga Kosova mund të shfrytëzojnë këtë mundësi. Ndërkaq, Buja e falënderoi Berishën për angazhimin e tij në rritjen e numrit të doktorantëve nga Kosova, që vazhdojnë studimet në Shqipëri.

LSHK, vërejtje për Letërsinë

E, në të njëjtën ditë kur në Tiranë Buja është takuar me udhëheqësit e shtetit shqiptar, në Prishtinë Adem Demaçi, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, ka shprehur shqetësimin për përmbajtjet dhe qëllimet antipedagogjike, antiarsimore si dhe antikulturore që përmbajnë planprogramet dhe tekstet mësimore të lëndës së Letërsisë. Duke qenë e ndërgjegjshme dhe e shqetësuar për ndikimin negativ që këto përmbajtjeje ushtrojnë në vetëdijen dhe formimin emocional, intelektual, moral, shoqëror dhe kombëtar të të rinjëve, Demaçi në emër të LSHK-së propozon që, nën patronazhin e Ministrisë së Arsimit të Kosovës dhe të ministrisë përkatëse të Shqipërisë, të organizohet një këshillim i përbashkët publik për planprogramet e letërsisë shqipe në shkollat fillore dhe të mesme, të cilin do ta organizonin institucionet shkencore, si Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Tiranës. LSHK lë mundësinë që në këtë këshillim të përfshiheshin edhe asociacione të tjera, pedagogë, shkrimtarë, kritikë, historianë të letërsisë të dëshmuar nga e gjithë hapësira kulture e arsimore shqiptare.

Demaçi, në emër të LSHK-së, konstaton se tekstet mësimore të lëndës së letërsisë manifestohen me shumë deformime të natyrës materiale dhe konceptuale, si: me mungesën e parimit bazik teorik e metodologjik që letërsia shqipe të trajtohet në mënyrë të njësishme e të pandarë në bazë të kriterit të gjuhës kombëtare, e jo të kriterit të territorit dhe të njësive administrative-politike në të cilat ajo është krijuar; me mungesën e një qëndrimi të përbashkët për emërtimin e letërsisë shqipe si “letërsi shqipe”, e jo si “letërsi shqiptare”; me mungesën e periodizimit të drejtë e objektiv të letërsisë shqipe, i cili do të eliminonte çfarëdo mundësie që një autor – siç është rasti me Mjedën – në një tekst mësimor të mësohet si poet romantik, ndërsa në një tekst tjetër si poet modern; me mungesën e një qëndrimi të përbashkët për një sistem unik vlerash letrare, të përdorshme në gjithë hapësirën arsimore e kulturore shqiptare dhe praninë e theksuar të trajtimeve fyese e përçmuese që iu bëhen disa autorëve tanë të traditës (siç është rasti me Asdrenin) dhe të bashkëkohësisë (siç është rasti me Esad Mekulin) duke i mënjanuar ata krejtësisht prej teksteve mësimore në rastin e parë, apo duke e minimizuar rolin e tërë një periudhe letrare, siç veprohet me letërsinë romantike dhe me autorët e saj duke ia kundërvënë asaj letërsinë e vjetër dhe autorët e kësaj letërsie, në rastin e dytë; me mungesën e pranisë së letërsisë popullore etj.
(www.gazetaexpress.com)

No comments:

Post a Comment