Amnistia, si t’i fitoni vitet e humbura për pension

Biznesi dhe individët e vetëpunësuar, të cilët nuk kanë paguar detyrimet e kontributeve shoqërore ndër vite dhe si rezultat kanë marrë gjoba apo kamatë-vonesa, tashmë do të mund të përfitojnë faljen nga amnistia fiskale. Drejtori i Drejtorisë së Kontributeve pranë ISSH-së, Naim Balluku, në një intervistë për gazetën sqaron se kush përfiton, cilat detyrime falen dhe si duhet të veprojnë të interesuarit.Gjithsesi, Balluku thekson se periudha e falur nuk do të njihet si vjetërsi për pension, pra, do të jenë vite bosh. Nëse qytetarët vendosin të paguajnë detyrimin e plotë pa gjobat, atëherë vitet do të njihen si vjetërsi.
Z. Balluku, çfarë përmban ligji për faljen e detyrimeve për sa i përket sigurimeve shoqërore?
Në përmbajtjen e tij, Ligji nr. 10418, datë 21.4.2011 “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor”, krahas faljes së disa detyrimeve në sektorë të tjerë, fal edhe një pjesë të mirë të detyrimeve kontributive, gjobave e kamatëvonesave në fushën e sigurimeve shoqërore. Ligji i mësipërm, faljen e detyrimeve kontributive, gjobave dhe kamatëvonesave, e bën në përputhje me statusin e subjekteve, duke pasur në konsideratë subjektet e vetëpunësuara, që nuk kanë të punësuar të tjerë, si dhe subjektet juridike e fizike me të punësuar, ku punëdhënësit krahas përgjegjësive të tyre, kanë përgjegjësi për sigurimin shoqëror dhe të personave të tjerë të punësuar.
Si do të aplikohen këto falje sipas subjekteve që rezultojnë me detyrime ndaj sigurimeve shoqërore?
Aplikimi është i ndryshëm për dy kategori: për të vetëpunësuarit, si dhe për personat fizik dhe juridikë. Tatimpaguesve të regjistruar si të vetëpunësuar me detyrime të prapambetura, për periudhën deri në fund të vitit 2008 dhe që janë debitorë për kontributet për veten e tyre dhe pjesëtarët e tjerë të familjes, vetëm për periudhën që ata kanë pasur këtë status, u falen të gjitha detyrimet e papaguara për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, gjobat dhe kamatëvonesat. Tatimpaguesve të regjistruar si të vetëpunësuar me detyrime të prapambetura, për periudhën 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2010, dhe që janë debitorë për kontributet për veten e tyre dhe pjesëtarët e tjerë të familjes, vetëm për periudhën që ata kanë pasur këtë status, u falen të gjitha detyrimet e papaguara për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, gjobat dhe kamatëvonesat, me kusht që brenda datës 31.12.2011 të deklarojnë dhe të paguajnë të gjitha detyrimet që lindin gjatë vitit 2011 për periudhat tatimore të këtij viti. Të gjithë tatimpaguesit e mësipërm, që paguajnë të gjitha shumat e detyrimeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, deri në datën 31 dhjetor 2011, ku përfshihen edhe detyrimet që lindin gjatë vitit 2011 për periudhat tatimore të këtij viti, përfitojnë nga falja e të gjitha gjobave dhe kamatëvonesave të lidhura me detyrimet e pashlyera. Të vetëpunësuarve në bujqësi me detyrime të prapambetura, për periudhën deri në fund të vitit 2008 dhe që janë debitorë për kontributet, u falen të gjitha detyrimet e papaguara për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, gjobat dhe kamatëvonesat. Të vetëpunësuarve në bujqësi me detyrime të prapambetura, për periudhën 1 Janar 2009 deri më 31 dhjetor 2010 dhe që janë debitorë për kontributet, u falen të gjitha detyrimet e papaguara për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, gjobat dhe kamatëvonesat, me kusht që brenda datës 31 dhjetor 2011 të deklarojnë dhe të paguajnë të gjitha detyrimet që lindin gjatë vitit 2011.
Të vetëpunësuarve në bujqësi, që paguajnë të gjitha shumat e detyrimeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, deri në datën 31 dhjetor 2011, përfitojnë nga falja e të gjitha gjobave dhe kamatëvonesave të lidhura me detyrimet e pashlyera.
Por, vlen të theksojmë se, periudha për të cilën nuk janë paguar sigurimet shoqërore dhe për të cilën kontributi është falur, nuk do të konsiderohet për efekt të përftimit të së drejtës për pension, sipas përcaktimeve të Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar.
Ndërkohë, ndërmarrjeve dhe shoqërive me kapitale tërësisht shtetërore, institucioneve shtetërore, buxhetore dhe jobuxhetore, ndërmarrjeve e shoqërive me kapital të përbashkët me shtetin, personave juridikë, fizikë e privatë, të cilët nuk kanë derdhur të gjitha detyrimet e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, të lidhura me periudhën deri më 31 dhjetor 2010, u falen të gjitha shumat e gjobave dhe të kamatëvonesave.
Subjektet e mësipërme debitorë, për detyrimet ndaj organeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat që rezultojnë nga një vendim i formës së prerë, nuk përfitojnë nga dispozitat e këtij ligji. Ky ligj nuk i shtrin efektet edhe për rastet kur ka filluar një procedim penal dhe procesi nuk ka përfunduar.
Për subjektet juridike e fizike, përse nuk falen detyrimet kontributive, por vetëm gjobat e kamatëvonesat?
Pagesa e detyrimit kontributiv, është lidhur direkt me vjetërsinë kontributeve, si për subjektet fizike dhe aq me tepër për subjektet juridike, detyrimet e të cilave nuk falen. Mosfalja e detyrimeve për këto subjekte është një akt normal, pasi pagesat kontributive për këto subjekte që kanë të punësuar dhe punonjës të tjerë, lidhen ngushtësisht me vjetërsinë kontributive të punonjësve të punësuar, për të përfituar nga legjislacioni i sigurimeve shoqërore, kur të plotësojnë kushtet.
A mund të paguajnë subjektet e vetëpunësuara, megjithëse është bërë falje për detyrimet kontributive?
Për subjektet të vetëpunësuar, të cilëve iu falen detyrimet kontributive, por që kjo nuk konsiderohet si vjetërsi kontributive, për të përfituar nga ligji i sigurimeve shoqërore, iu jepet mundësia për të paguar detyrimet kontributive pa gjoba dhe kamatëvonesa. Sipas mundësive financiare që mund të kenë këto subjekte, do të ishte shumë e dobishme për të shlyer këto detyrime dhe për të përfituar të plota ato mundësi që jep legjislacioni i sigurimeve shoqërore. Pra, në qoftë se i përmbahemi kërkesave të legjislacionit të sigurimeve shoqërore për të përfituar pension të plotë, kërkohet që çdo person të ketë jo më pak se 35 vite vjetërsi kontributive në punë. Kështu, ata persona që nuk e plotësojnë këtë vjetërsi, mund të paguajnë detyrimet për vitet e papaguara, duke pasur të favorshëm faktin që këto pagesa do të paguhen pa gjoba dhe kamatëvonesa.
Duke analizuar efektet e ligjit të miratuar, rezulton se për subjektet që janë debitorë pranë ISSH-së, deri 31.12.2004, përfitojnë 523 subjekte fizike me një shumë prej rreth 18.2 milion lekë dhe 838 subjekte juridike me një shumë prej rreth 458.8 milion lekë kamatëvonesa. Efektet e përfitimit janë shumë të mëdha për periudhën që shërbimi i pagesës së kontributeve është transferuar në organet tatimore, ku përfitojnë afro 23, 000 subjekte me një shumë prej 3,1 miliardë lekë.
Ne ligj thuhet se përfitojnë dhe të vetëpunësuarit në bujqësi. Cili është përfitimi në zbatim të ligjit për këtë kategori punonjësish?
Një përfitim të jashtëzakonshëm kanë të vetëpunësuarit në bujqësi, të cilët edhe këtë vit kanë favorin, që në kuadër të faljes së përgjithshme të disa detyrimeve, gjobave dhe kamatëvonesave të kenë mundësi për të shlyer me pagesa tepër minimale, detyrimet e papaguara për sigurimet shoqërore pa kamatëvonesat e llogaritura.
Kështu, të vetëpunësuarit në bujqësi, për t’u siguruar nga periudha që ka hyrë në fuqi, Ligji 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar nga 1.10.1993 e deri në periudhën aktuale, pra deri më 30.6.2011, që përbëjnë një vjetërsi kontributive prej 17 vite e 9 muaj, fermeri duhet të paguajë 106, 776 lekë në zonat fushore dhe 70, 409 lekë në zonat malore. Në këto kushte favori që i bëhet fermerëve diktohet nga fakti që fermerët sigurojnë periudha të kaluara, nga 1.10.1993 me ato masa kontributesh që kanë qenë në vitet respektive, të cilat janë mjaft simbolike. Vlen te theksohet fakti se, që nga viti 1993 e deri në vitin 2002, masa e pagesës për kontributet e sigurimeve shoqërore për fermerët ka qenë 1,620 lekë në vit për zonat fushore dhe 972 lekë për zonat malore. Në këtë kuadër, me masa kontributesh minimale dhe pa kamatëvonesa do të bëhet pagesa deri më 31.12.2011. Sipas Ligjit nr. 9600, datë 27.07.2006, kamata është 2 për qind për muajin e parë të vonesës dhe 1 për qind për muajt e tjerë.
Duke pasur një vjetërsi si të vetëpunësuar në bujqësi, që konsiderohet ligjërisht si vjetërsi pune në qytet, bazuar në nenin 92 te Ligjit nr. 7703 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar një vjetërsi e tillë, e cila kalon ½ e 35 viteve të duhura për pension të plotë, fermerët përfitojnë pension të plotë si në qytet.
Çfarë përfitojnë fermerët me pagesat për sigurimet shoqërore?
Me pagesat e kontributeve të fermerëve përfitohet:
1. Të gjitha llojet e pensioneve, ashtu sikurse të vetëpunesuarit në qytet (pension pleqërie, invaliditeti, familjar).
2. Shpërblim dhe leje lindjeje
3. Sigurim shëndetësor.
Gjithashtu, së bashku me sigurimin shoqëror të vetëpunesuarit në bujqësi sigurohen dhe për sigurimin shëndetësor, ku kontributet janë të detyrueshme të paguhen bashkërisht me sigurimin shoqëror. Pagesat vjetore për sigurimin shëndetësor janë tepër simbolike, kapin shumën 3,360 lekë në vit për zonat fushore dhe 2,016 lekë në vit për zonat malore. Me këto pagesa fermerët përfitojnë: vizita mjekësore, ekzaminime, rimbursim medikamentesh etj. Në këtë mënyre fermerët me pagesa tepër të reduktuara përfitojnë një game të gjerë shërbimesh dhe përfitimesh që lidhen me sigurimin shoqëror dhe shëndetësor.


(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment