8 Maji, Braçe dhe Harasani replikojnë në Facebook

Braçe: Nuk jam me kënd, individ apo çetë, jam me PS. Harasani: Je gazetar i vjetër. Mos merr një copëz fjalie dhe ta përdorësh. Gjithsesi, uroj që PS ta duan dhe të tjerët sa ty

Deputetët dhe anëtarët e Kryesisë së Partisë Socialiste kanë nisur të replikojnë me njëri-tjetrin në distancë, duke shfrytëzuar rrjetin social “Facebook”. Kjo ka ndodhur sëfundi me Erjon Braçen dhe Andis Harasanin, të cilët i kanë kthyer njëri-tjetrit përgjigje, duke shkruar në profilin e vet.



Në fillim ishte deputeti Braçe, ai që citoi Harasanin të kishte thënë në një intervistë se “më vjen mirë që Braçe ju bashkua pozicionit tim!”.

Në vijim të këtij komenti, Braçe shkruante se “po sqaroj cilindo që e lexon. Unë si jam bashkëngjitur kujt, them atë që mendoj, gjithmonë. Nuk jam me kënd, individ apo çetë, jam me Partinë Socialiste. Jam atje ku kam qenë, në punë, në Berat dhe Tiranë. Nisur nga interesimi i njerëzve, mbi të gjitha unë s’kam qenë e nuk do të jem politikisht apo ekonomikisht me Berishën apo me Bashën!”.

Nuk mungoi përgjigja e deputetit Harasani, i cili, po përmes rrjetit social, ka sqaruar pozicionin e tij përballë atyre që thotë kolegu i tij Braçe. Në profilin e vet, Harasani shkruante “Erjon Braçe, je gazetar i vjetër. Mos merr një copëz fjalie dhe ta përdorësh. Gjithsesi, uroj që Partinë Socialiste ta duan dhe të tjerët sa ty. Sa për interesa dhe punë në Tiranë dhe Berat, kam aq respekt për veten dhe për ty, sa të mos bëj aludime interesash, por as koment”.

Në replikat me deputetin Harasani është përfshirë direkt edhe ish-kandidati socialist për deputet, Myzaljen Hoxha, i cili në profilin e Harasanit shkruan “hipokrizia është çmimi që vesi paguan për virtytin. Është virtyt i madh, të jesh nga ana e drejtë, dhe jo e gabuar. Eh Andis! Dy gabime nuk mund të bëjnë një të drejtë, por njëmijë gabime bëjnë një deputet-shërbëtor në parlament”.

Në përgjigje ndaj tij, Harasani i shkruan “Myzaljen - ende nuk e kam komentuar se si humbe në Fier zonën. Mos është mirë ta bëjmë publike?”. Ish-kandidati për deputet dhe njëkohësisht ish-kreu i këshillit bashkiak të Fierit, i përgjigjet “Po ja Andis! Fitova vullnetin e popullit, fitova dhe në KQZ-ë 4 me 3, dhe humba në Kolegjin Zgjedhor. Por ja i dituri dhe i ndershmi janë të rrezikuar në këtë shoqëri që nuk ka se çfarë të ofroj, mbasi ka konceptin e konsumimit pa punë dhe sensin e pronës pa ligj. Por, ironia dhe indinjata më e madhe atëherë ish se ‘Në Kolegj do të kalojmë Islamin më thanë, ndërsa t’i do të mbetesh në klasë, sepse na zëmërohet Berisha, dhe na del në rrugë. Ja kjo është e gjitha, që marifetçinjtë dhe ziafetçinjtë ‘fitojnë’, të ndershmit kthehen në shtëpi dhe vuajnë turpet e tyre. Kjo është e vërteta, prandaj dhe publiku këtu në Fier, por jo vetëm këtu më respekton. Nder dhe respekt për të”.

Komenti i Braçe

Deputeti Harasani, intervistë sot: Më vjen mirë që Braçe ju bashkua pozicionit tim!!! Po sqaroj cilindo që e lexon. Unë si jam bashkëngjitur kujt, them atë që mendoj gjithmonë. Nuk jam me kënd, individ apo çetë, jam me Partinë Socialiste. Jam atje ku kam qenë, në punë, në Berat dhe Tiranë, nisur nga interesi i njerëzve. Mbi të gjitha nuk kam qenë e nuk do jem, politikisht apo ekonomikisht me Berishën apo me Bashën!

Komenti i Harasanit

Je gazetar i vjetër. Mos merr një copëz fjalie dhe ta përdorësh. Gjithsesi, uroj që Partinë Socialiste ta duan dhe të tjerët sa ty. Sa për interesa dhe punë në Tiranë dhe Berat, kam aq respekt për veten dhe për ty, sa të mos bëj jo aludime interesash, por as koment

Braçe
“Koka e PS po bën lavjerrësin”

Dy ditë më parë, deputeti socialist Erjon Braçe deklaroi publikisht se Partia Socialiste i fitoi zgjedhjet e 8 Majit, por degradimi pas zgjedhjeve bën që ajo të duket e rënë në kllapi. “Berisha ka bërë gabimin e fundit të jetës, por PS nuk po e ndëshkon! PS nuk mundi të parashikonte e as të ndalte krimin pas zgjedhjeve, konsumuar në një akt final, si ndryshim i rezultatit në tavolinë prej një grushti keqbërësish. PS ka ndalur, përfshirë në një beteje juridike të stërparë, si përpjekje e përkushtuar ambasadorësh për të shpëtuar një sistem të kalbur, por jo si kauzë e saj. Nuk është beteja e saj! PS po bën dëgjuesen e shock-uar në një “duel” të paqartë e të pabarabartë, për shkak të formimit, kulturës ligjore krejt të ndryshme, në fund, mënyrës së të menduarit, mes ambasadorëve dhe Sali Berishës”, mendon ai. Në vlerësimin e Braçes, koka e PS-lidershipi, po bën lavjerrësin mes vlerësimeve teknike korrekte, këshillave po të tilla të ambasadorëve për Sali Berishën, për të zgjidhur pa konflikt e kalimthi “çështjen” dhe këshillave kërcënuese, haptazi të njëanshme e të paligjshme, të Sali Berishës për trupën tradicionale dhe të tromaksur të gjyqbërësve të Kolegjit.

(www.mapo.al)

No comments:

Post a Comment