Vatra radioaktive është zbuluar në lagjen Setagaia, që ndodhet rreth 200 kilometra larg impiantit bërthamor të Fukushimës, që u dëmtua rëndë nga tsunami i 11 marsit.
Autoritetet lokale janë tepër të shqetësuara lidhur me efektet e mundshme të përhapjes së radioaktivitetit, i cili është më i lartë se niveli i konstatuar në zonat e evakuimit përreth Fukushimës.
Rrezatimet u zbuluan në një trotuar në lagjen Setagaia, në një lartësi prej 1 metër, pasi një banor i shqetësuar njoftoi autoritetet.
Trotuari ku u bë zbulimi përdoret rregullisht nga fëmijët që shkojnë në shkollë, bën të ditur agjencia e lajmeve “Kyodo News”.
Zona të tjera të trotuarit ishin të paprekura. Zona u rrethua në kuadër të masave, por zyrtarët lokalë deklaruan më vonë se nuk ka rrezik për shëndetin.
“Rrezatimet u zbuluan në një sipërfaqe shumë të vogël dhe ne do të marrim masa për të zgjidhur shqetësimet e qytetarëve”, deklaroi një zëdhënës i lagjes Setagaia, Michio Hirasawa.
Aktualisht po kryhen hetime për të përcaktuar llojin e materialit radioaktiv dhe mënyrën se si ai ka mbërritur në trotuar.
Kryetari i njësisë bashkiake të Setagaias, Nobuto Hosaka tha se pastrimi i trotuarit me ujë nuk e ka hequr plotësisht rrezatimin, por shtoi se tani trotuari është më i sigurtë për qytetarët.
(top-channel.tv)
No comments:
Post a Comment