Zgjedhjet në Maqedoni kryeson VMRO- DPMNE e BDI e Ahmetit

Maqedonia zhvilloi dje zgjedhjet e parakohshme, dhe nga të dhënat e përpunuara nga numërimi i 98 % i votave, koalicioni konservator i kryesuar nga VMRO-DPMNE e kryeministrit Gruevksi, udhëheq tek kampi politik maqedonas, ndërsa BDI tek kampi politik shqiptar.

Nga të dhënat e paraprake të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve nga numërimi i 98 % të vendvotimeve, VMRO-DPMNE ka fituar 426 mijë vota, koalicioni opozitar LSDM 358 mijë vota, ndërsa nga partitë shqiptare BDI 108 mijë vota, PDSH 59 mijë vota si dhe partia e sapoformuar RDK 29 mijë vota. Ndërkohë që rezultati përfundimtar pritet të zyrtarizohet sot.

GRUEVSKI: FITUAM
Mbrëmë vonë nga selia e VMRO- DPMNE,Gruevski ka deklaruar fitoren, dhemë pas kanë nisur festimet e mbështetësve të tij.
Me kënaqësi ju deklaroj se fituesi i këtyre zgjedhjeve është VMRO- DPMNE, dhe koalicioni "Për një Maqedoni më të mirë. Kemi fituar 55 deputetë nga 123 që ka gjithsej parlamenti"- u deklaroi Gruevski mbështetësve të tij. Kryeministri deklaroi se fitorja e këtyre zgjedhjeve ka një peshë të veçantë, për shkak se ajo u fitua në kushte të krizës ekonomike botërore, por sipas tij, kjo fitore jep edhe përgjegjësi më të madhe nga zgjedhjet e deritanishme.

AHMETI: URON ELEKTORATIN SHQIPTAR
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti gjithashtu ka uruar elektoratin shqiptar për fitoren në këto zgjedhje, duke theksuar se partinë e tij e presin përgjegjësi të mëdha. Lidhur me formimin e koalicioneve me partitë maqedonase, Ahmeti theksoi se respekton atë parti që ka fituar verdiktin e elektoratit të tij, duke aluduar në VMRO-DPMNE.

Organizata joqeveritare "Most", e cila vëzhgoi zgjedhjet dha rezultatet e para preliminare duke nxjerrë dhe numrat e deputetëve. Sipas të dhënave të para preliminare VMRO-DPMNE ka fituar 53 deputetë, LSDM ka fituar 43 deputetë, BDI ka fituar 14 deputetë, PDSH ka fituar 8 deputetë dhe RDK 2 deputetë. Shumë parti të vogla politike nuk do të përfaqësohen në Parlament, pasi që nuk arritën fitoren e asnjë mandati, ndërsa shqiptarët kanë humbur pesë deputet nga përçarja e votës si dhe jehona e vogël e votuesve, raporton Ina.

THACI URON AHMETIN
Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi uroi në orët e para të mëngjesit të sotëm kreun e BDI-së, Ali Ahmeti për fitoren e tij. “E uroj sinqerisht Ahmetin për fitoren dhe partisë së tij, bashkë me partnerin e koalicionit, u takon ta formojnë Qeverinë e Apokalipsës për këtë shtet”, ka thënë Thaçi, raporton Ina. Thaçi tha se partia e tij ka dalë shumë më e fuqishme në Shkup dhe në Kumanovë dhe se PDSH mbetet partia e vetme shqiptare opozitare: Partia Demokracia e Re E Imer Selmanit nuk ka arritur të fitojë asnjë deputet.

CERVENKOVSKI URON GRUEVSKIN
Në kampin maqedonas, edhe kryetari i LSDM-së, Branko Cërvenkovski dhe kandidatja e nominuar për kryeministre në rast të fitores së opozitës, Radmilla Sheqerinska ka uruar VMRO-DPMNE për fitoren në këto zgjedhje.

"Beteja do të vazhdojë. Nëse keni parë se çfarë mund të bëjmë me 18 deputetë, mund të paramendoni se çfarë do të bëjmë me 43 deputetë", deklaroi Cërvenkovski duke shtuar se LSDM nuk ndalet dhe se garantoi se koha e kësaj partie po vjen.

Zgjedhjet e djeshme ishin shpresë për të shpejtuar reformat e nevojshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) bëri të ditur se pjesëmarrja e votuesve ka qenë mbi 63 për qind, ndërsa zgjedhjet u vlerësuan si të rregullta dhe demokratike, me përjashtim të parregullësive shumë të vogla. Kryetari i këtij komisioni, Boris Kondarko paralajmëroi për sot shpalljen e rezultateve të para jozyrtare.
(balkanweb.com)

No comments:

Post a Comment