Urgjenca per te rikthyer konstitucionalizmin

Fokusimi i vëmendjes publike dhe i debatit politik te rezultati i zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës, ka bërë që të kalojë si pa vënë re një zhvillim jo pak i rëndësishëm që ka të bëjë me ardhmërinë e sistemit politik në Shqipëri. Të hënën që kaloi, Erion Braçe, një nga politikanët e lartë të PS, ka deklaruar në emisionin “Shqip” të Rudina Xhungës, se amendimet e Kushtetutës të realizuara më 21 prill të vitit 2008, kanë qenë të gabuara. Është e para herë që 3 vjet pas kryerjes së atyre amendimeve, nga maja e PS del një zë kritik për atë që u quajt reformë historike dhe konsensuale PS-PD në dobi të stabilitetit të vendit. Koha, sikundër kishin parathënë kritikët e atyre amendimeve, tregoi se jo vetëm stabiliteti nuk erdhi por, ç’është më e keqja, sot janë të rrezikuar seriozisht edhe liria dhe demokracia në Shqipëri. Dhe akoma më keq do të jetë pas një viti, nëse nuk korrigjohet me urgjencë gabimi fatal i bërë në prill 2008.

* * *

Shpresojmë që artikulimet e zotit Braçe të mos jenë vetëm reflektime individuale të tij, por edhe të krejt lidershipit të PS, përfshi Edi Ramën. Gjë që do të mundësonte shndërrimin e korrektimit kushtetues që kërkohet, në një objektiv politik të opozitës. Në gjirin e kësaj të fundit ka aleatë si Gjinushi apo Milo, që qysh në kohën kur gatuheshin amendimet, janë shprehur kundër tyre. Por sot, çështja është edhe më urgjente. Ndërsa kanë shfaqur efektet e tyre negative amendimet për sistemin zgjedhor, për KQZ apo për mocionet e Kryeministrit, vitin e ardhshëm do të hyjnë në veprim amendimet për ato nene të Kushtetutës që kanë të bëjnë me zgjedhjen e Presidentit të Republikës si dhe të Prokurorit të Përgjithshëm. Në mënyrën si janë amenduar këto nene, Kryeministri Berisha ka mundësi që të zgjedhë President Republike cilindo nga oborrtarët e tij. Ai tashmë nuk ka më nevojë për konsensusin e opozitës dhe mund ta zgjedhë Presidentin me vetëm 71 vota të shumicës, vota të cilat i ka në dispozicion. Është lehtësisht e kuptueshme se vënia e një kukulle të Berishës në postin e Presidentit, do ta thellonte edhe më rrezikshëm kapjen e shtetit nga Kryeministri autokrat Berisha. Ai jo vetëm do kishte në grushtin e tij një institucion që nuk e ka kapur ende, por do të shtrëngonte edhe më shumë pushtetin gjyqësor në darën e pushtetit të tij. Sepse dihet që Presidenti i Republikës është edhe kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të atij që rëndom quhet, qeveria e gjyqësorit. Praktikisht, Berisha, kryetari i qeverisë, do të ishte edhe kryetari i qeverisë së gjyqësorit. Berisha nuk e arriti një përqendrim të tillë pushtetesh në duart e tij, as në vitet e para të tranzicionit kur gjithsesi, pati një lloj oponence nga Kryeministri demokrat i asaj kohe, Aleksandër Meksi. Por në 2012-n, nëse gjërat nuk ndryshojnë, centralizmi autokratik i pushteteve do të jetë edhe më absolut pra, edhe më absolutisht i rrezikshëm.

* * *

Jo me pak rëndësi strategjike për mbrojtjen e frymës liberal-kushtetuese të sistemit, është korrektimi i amendamentit për Prokurorin e Përgjithshëm. Reforma kushtetuese e ndërmarrë në prill 2008, mjerisht edhe me bekimin e ambasadorëve të BE, OSBE dhe SHBA në Tiranë, mandatin e Kryeprokurorit nga të përjetshëm e kufizoi në 4 vjet. Që në atë kohë u ngritën zëra që nënvizuan se një kufizim i tillë drastik i mandatit, krijonte premisa që Kryeprokurori të bëhej viktimë e qeverisë, korrupsionin e së cilës ai është i ngarkuar me Kushtetutë të hetojë. Dhe ashtu po ndodh. Pasi ka nisur hetimin e disa superskandaleve të qeverisë “Berisha”, Kryeprokurorja Ina Rama rrezikon të bjerë në thonjtë e hakmarrjes berishiane në vitin 2011. Që më e pakta, do të thotë se ajo nuk duhet të shpresojë për një rizgjedhje në postin e Kryeprokurores tashmë të ofenduar publikisht edhe si “lavire bulevardi” nga Berisha. Vetë mefshtësia që ka treguar prokuroria në hetimin e ngjarjeve të fundit, si për shembull të masakrës së 21 janarit, është rrjedhojë e një presioni që natyrshëm ngrihet mbi këtë institucion dhe titullaren e tij, nga zhvillimet e afërta që dikton një Kushtetutë e deformuar. Madje edhe Komisioni i Venecias, që dha një opinion të dyshimtë (me shumë gjasa në konformitet me vullnetin politik të dy partive më të mëdha dhe ndërkombëtarëve që yshtnin “konsensusin”), në rastin e amendamentit për Kryeprokurorin është shprehur se një modifikim i tillë, e ka bërë këtë institucion më pak të pavarur. Edhe më e varur nga Berisha do të jetë Prokuroria nëse ai zgjedh në krye të saj ndonjë nga “ristanët” apo “tomët” e tij. Do të ishte një kërcënim serioz jo vetëm për persekutim politik të opozitës me anë hetimesh selektive në emër të luftës kundër “korrupsionit”, por edhe vetë minim i antikorrupsionit, si një operacion jetik për instalimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

(24-ore.com)

No comments:

Post a Comment