Universitetet, maturantët “përplasen” te shoqëroret

Vijojnë të zgjedhin në masë lëndët shoqërore si preferenca për provimet me zgjedhje. Megjithatë, këtë vit, duket se maturantët kanë marrë një orientim që ndryshon nga ai i viteve të mëparshme.Nga 17 lëndët me zgjedhje që kanë pasur në dispozicion 8 prej tyre kanë qenë më të preferuarat. Vihet re një rritje e kërkesave për lëndët natyrore. Po kështu, nxënësit që kanë përzgjedhur Anglishten si lëndë me zgjedhje janë dyfishuar. Ministria e Arsimit publikon të dhënat e grumbulluara nga Formularët A1 në prag të provimeve me zgjedhje, të cilat do të jepen me 30 qershor. Pas tyre, konkurrenca do të jetë më e fortë në degët e shkollave të larta që i përkasin profilit shoqëror. Këtu bëjnë pjesë degët e Fakultetit të Histori-Filologjisë, Shkencave Sociale apo Drejtësia. Ajo që bie në sy është se lëndën Njohuri për Shoqërinë e kanë zgjedhur pjesa më e madhe e maturantëve. Sipas të dhënave zyrtare nga MASH, në formularin A1, 33 150 nxënës kanë caktuar atë si një prej lëndëve me zgjedhje. E dyta në listë renditet Ekonomi-Filozofia me 14 610. Interes të lartë maturantët kanë treguar për Gjeografinë. Këtë lëndë e kanë përzgjedhur 11 802 nxënës. Sipas specialistëve të Ministrisë së Arsimit, Anglishtja ka një rritje të ndjeshme të kërkesave krahasuar me vitin e kaluar. Atë e kanë zgjedhur 11 136 maturantë. Kjo edhe për shkak të koefiçentit ka kjo lëndë, më të lartin, dhe maturantët kanë shanse për të fituar në më shumë degë të shkollave të larta. Historinë e kanë përzgjedhur 7 866 maturantët. Nga sa pohojnë specialistët e Ministrisë, konsiderohet i kënaqshëm dhe në rritje numri i nxënësve që kanë kërkuar të japin si provim me zgjedhje lëndët natyrore. Përkatësisht Fizikën e kanë zgjedhur 2 858 nxënës, Kiminë 3 659 nxënës dhe Biologjinë 6 869 maturantë.

Fakultetet ku mund të fitoni
Një lëndë e vetme mund të të nxjerrë fitues në disa fakultete. Ndaj, seleksionimi i lendeve që do të japin maturantet si provim me zgjedhje ka shumë rëndësi. Kështu, nëse zgjedhin si provim me zgjedhje Njohurinë për Shoqërinë, Filozofinë, Ekonominë e Tregut, kandidatet kane shanse për t’u klasifikuar si fitues në Drejtësi, Shkencat Sociale, Gjuhët e Huaja apo edhe në një nga katër degët e Filologjikut. Ndërsa Fizika e Kimia të rendisin fitues në Mjekësi, Shkencat e Natyrës, Ekonomik, Infermieri, Inxhinieri Ndërtimi ose në një nga fakultetet e tjera të Politeknikut. Kush ka zgjedhur të japë si provim me zgjedhje Anglishten, atëherë mun-dësitë për t’u klasifikuar në një nga fakultetet e shkollave të larta janë dyfish më të mëdha. Ministria e Arsimit ka vendosur t’i japë kësaj lëndë koeficientin me te larte, 1.3. Që do të thotë se, nëse një maturant jep Anglishten si provim me zgjedhje, ka mundësi të shpallet fitues në të gjitha fakultetet. Lëndët që e kanë koeficientin 1.3 krijojnë një diferencë prej 300 pikësh, nga ato lëndë qe e kane koeficientin 1.0. Gjuha Angleze, ndryshe nga lëndët e tjera, ka notën maksimale për të gjitha fakultetet. Lëndët me zgjedhje kanë dy koeficiente. 1.3 është ajo lëndë që fakulteti i jep notën maksimale dhe 1.0 është lënda tjetër që fakulteti vlerëson me pak. Përzgjedhja e tyre mund t’u kushtojë shtrenjte kandidatëve për studentë, pasi një provim i tillë mund të të ngjisë 300 pikë më lart në listën e fituesve ose të të ulë 300 pike me poshtë. Ndaj, të rinjtë duhet të jenë të vëmendshëm që të seleksionojnë si lëndë të provimit me zgjedhje, ato lëndë që u krijojnë mundësi për të fituar në disa fakultete.

30 qershor
është data kur të gjithë maturantët do të japin provimet për lëndët me zgjedhje. Këto lëndë janë prova e fundit e Maturës

Shanset për të fituar

Anglishtja
. Fitues pothuaj në të gjitha degët e 11 universiteteve publike.

Fizika + Kimi
. Fitues në Fakultetin Ekonomik, Mjekësi, Infermieri, Shkencat Natyrore, Inxhinieri Ndërtimi, Gjeologji-Miniera, Elektrike dhe Mekanike.

Njohuri për Shoqërinë + Ekonomi + Filozofi
. Fitues në Fakultetin e Drejtësisë, Gjuhët e Huaja, Histori-Filologji
. Shkencave Sociale dhe Ekonomik.

Biologjia
. Të nxjerr fitues në Ekonomik, Infermieri,
Mjekësi, Shkencat e Natyrës si dhe Psikologji.

Lëndët e preferuara
. Njohuri për Shoqërinë 33 150 nxënës
. Ekonomi-Filozofi 14 610 nxënës
. Gjeografi 11 802 nxënës.
. Anglisht 11 136 nxënës
. Historinë 7 866 nxënës
. Fizikë 2 858 nxënës
. Kimi 3 659 nxënës
. Biologji 6 869 nxënës

Formulari A2
Maturantët do të plotësojnë formularin A2 vetëm pasi të kenë marrë notat e 4 provimeve të Maturës. Ministria e Arsimit ka këshilluar që të mos nxitohen, por me të marrë notat, të bëjnë një llogaritje paraprake të pikëve. Në këtë mënyrë, ata do të shohin se ku kanë më shumë shanse për të fituar. Preferencat për degët e fakulteteve ku duan të ndjekin studimet do t’i vendosin sipas një rendi zbritës, nga më e preferuara, në më pak të dëshiruarën prej tyre. Zgjedhja e 10 degëve është kusht, pasi në të kundërt, formularit A2 nuk i njihet vlefshmëria. Ministria e Arsimit pritet të publikojë formularin A2 të këtij viti në mes të korrikut, kur do të shpërndahet në shkollat e mesme.

Nivelet e testit
Nga sa kanë vendosur specialistët e Ministrisë së Arsimit, në test do të ketë hapësirë për nxënësit e dobët, ata mesatarë dhe nxënësit e mirë dhe shumë të mirë. Kështu, të gjithë maturantët, të cilët hyjnë në kategorinë e nxënësve të dobët, do të kenë pyetjet e nivelit të tyre. Në masën 40 për qind, AVA do të përgatisë pyetje pikërisht për këtë nivel, i cili korrespondon me nivelin e tretë ose nxënësit më të dobët. Niveli i dytë, ku hyjnë nxënës mesatarë, do të zërë në teste plot 80 për qind të totalit të pyetjeve. Niveli i parë ose niveli i nxënësve të mirë dhe shumë të mirë, do të ketë 100 për qind hapësirë në test. Testimi për lëndët me zgjedhje do t’i përmbahet programeve orientuese, të cilat prej muajsh maturantët i kanë në duar.(panorama.com.al)



No comments:

Post a Comment