Tragjedi në Mesdhe, mbytet anija me 270 refugjatë

Një anije me disa qindra refugjatë në bord, që lundronte në Mesdhe është mbytur. Deri në 270 refugjatë vazhdojnë të konsiderohen të humbur, njoftojnë njëzëri mediet franceze dhe ato tuniziane. Duke iu referuar agjencisë tuniziane të lajmeve Tap, anija e nisur nga Libia fillimisht ndiqte kursin drejt ishullit jugor të Italisë Lampeduza.

Aksion i vështirë shpëtimi.

Ndërsa sipas medieve italiane, anija me të paktën rreth 700 refugjatë në bord është ndodhur në rrezik gjatë natës në afërsi të ishujve tunizianë Kerkena. Për arsye se anija kishte ngecur në ujëra të cekta, ekipet e shpëtimit të truprojës bregdetare dhe të ushtrisë së Tunizisë kanë mundur të ndihmojnë vetëm me gomone dhe barka të vogla. Si rrjedhojë aksioni i shpëtimit ka qenë shumë i ngadalshëm dhe fillimisht janë shpëtuar nga anija që po mbytej vetëm gra e fëmijë. Të përfshirë nga paniku gjatë masave të shpëtimit shumë afrikanë janë rrëzuar në ujë në errësirë.

Truproja bregdetare si dhe njësi të ushtrisë tuniziane në një aksion shpëtimi jashtëzakonisht të vështirë, kanë mundur të çojnë në vende të sigurta rreth 570 pasagjerë, njofton agjencia tuniziane e lajmeve Tap. Të paktën dy refugjatë janë nxjerrë të vdekur, ndërkohë që për të tjerët nuk ka asnjë gjurmë. Kërkimi për të mbijetuar vazhdon.

Udhëtim i rrezikshëm drejt një jete më të mirë.

Lampeduza, që shtrihet vetëm 130 km larg brigjeve të Tunzisë prej kohësh është destinacion i shumë njerëzve, që synojnë një jetë më të mirë duke mbërritur në “Portën drejt Evropës”. Qysh nga fillimi i valës së trazirave në Afrikën e Veriut në janar, sipas të dhënave të Ministrisë Italiane të Punëve të Brendshme, mbi 42.000 emigrantë kanë vërshuar drejt Italisë, vetëm në Lampeduza kanë mbërritur 33.000 syresh.

Pasi Roma dhe Tunizi në prill vendosën një marrëveshje për kthimin e refugjatëve në atdhe, tani gjithnjë e më shumë po vijnë refugjatë nga Libia e përfshirë prej luftimeve.

Lundrimi në Mesdhe konsiderohet si jashtëzakonisht i rrezikshëm. Shpesh anijet, që nisen me emigrantë nga Afrika e Veriut nuk i përmbushin kushtet teknike për ta përballur një lundrim të tillë dhe ato marrin në bord shumë më tepër pasagjerë nga sa e kanë kapacitetin. Shumë afrikanë nuk dinë të notojnë. Për të tilla katastrofa në Evropë mësohet vetëm kur ka të mbijetuar, ose kur Mesdheu nxjerr trupa të pajetë në breg.

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment