Tiranë: Kryeson Basha.

Nga numërimi i 201 kutive të njësisë bashkiake numër 2 të Tiranës, kandidati demokrat Lulzim Basha ka epërsi ndaj kandidatit nga radhët e socialistëve Edi Rama prej 93 votash.
KQZ rinisi të dielën numërimin rreth orës 10:30, me kutitë e njësisë bashkiake numër 2, derisa dje i dha fund procesit të numërimit të votave të njësisë bashkiake numër 1, ku nga hapja e 156 kutive të votimit rezultuan 28 vota në favor të kandidatit demokrat dhe 26 për rivalin e tij socialist.
Deri tani, nga kutitë e hapura kandidati demokrat për bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha vijon avantazhin e tij ndaj rivalit socialist Edi Rama.
KQZ do të rinisë mbledhjen në mbrëmje për të vijuar rinumërimin e fletëve të kontestuara në njësinë numër 3.
Ndryshe, KQZ miratoi të premten në tërësi aktin për hapjen e kutive dhe numërimin e fletëve të kontestuara në 365 qendrat e votimit të bashkisë Tiranë. Vendimmarrja e KQZ-së pasoi vendimin e Kolegjit Zgjedhor në 13 qershor pas ankimimit të PS-së.
Nga 1940 kuti të procesit zgjedhor për Tiranën janë 1793 kuti që do të hapen për të rinumëruar fletët e kontestuara, sipas vendimit të Kolegjit Zgjedhor.
Votat e gjetura në kutinë e gabuar do të kërkohen në zarfin e fletëve të kontestuara në secilën kuti, do të numërohen dhe rivlerësohen nga grupet e numërimit, dhe para se të tabulohen, do t’i njoftohen KQZ-së për t’i pasqyruar në tabelë.

(kosovapress.com)



No comments:

Post a Comment