Testi i Letërsisë, notat për të gjithë maturantët

Rreth 1000 maturantë janë klasifikuar mbetës në provimin e Letërsisë. Nota maksimale 9 dhe 10 kanë marrë më shumë se 6000 maturantë, ndërsa pjesa tjetër janë vlerësuar me notat 6,7 dhe 8.Ministria e Arsimit publikoi dje rezultatet e provimit të parë të detyrueshëm. Gazeta publikon të plotë listën me kodet identifikuese të maturantëve. Listat janë botuar në mënyrë të tillë, pasi ligji për ruajtjen e të dhënave personale nuk lejon botimin e emrave të maturantëve. Të paktën këtë argument dha dje Ministria e Arsimit. Sipas këtij dikasteri, 2.8 % e nxënësve nuk kanë mundur të marrin rezultate pozitive në provim. Vlerësim maksimal kanë marrë rreth 15 % e tyre. Krahasuar me vitin e kaluar rezultatet paraqiten më pozitive. Tashmë maturantëve u kanë mbetur vetëm lëndët me zgjedhje. Pritet që pas datës 30 qershor të afishohen notat e Matematikës. Të gjithë ata kandidatë që nuk marrin qoftë edhe një nga provimet, nuk do të kenë mundësi të konkurrojnë për në shkollë të lartë. Pas marrjes së rezultateve pozitive, kandidatët do të plotësojnë Formularin A2. Me anë të tij do të rendisin 10 preferencat për degët e universitetit. Afati i fundit i plotësimit të Formularit A2 do të jetë data 30 korrik. Më tej, mbi bazën e pikëve që grumbullon secili maturant dhe kuotave të pranimit të vendosura nga qeveria, do të përcaktohen fituesit. Nga 10 preferencat, kandidati do të shpallet fitues vetëm në një degë, në rast se ka pikët e mjaftueshme. Pikët llogariten sipas një formule të posaçme, e cila merr për bazë 5 komponentët e maturës. Përveç 4 provimeve, llogaritet edhe mesatarja e katër viteve të shkollës së mesme në masën 20 %.

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment