Të bësh art duke pastruar qytetin

"Me duar të arta" e cilësojnë miqtë dhe njerëzit me të cilët punon, Eli Zhulatin. E ndërsa punimet e saj janë mjaft të pëlqyera prej turistëve vendas e të huaj, Eli ka nisur të eksperimentojë në një përvojë, që në fillim e pa thjesht si interesante, por që tashmë po rezulton të jetë e dobishme dhe e suksesshme. Janë pikërisht mbetjet e riciklueshme (shpeshherë ndotëse të mëdha të qytetit të Gjirokastrës), që po përdoren prej saj për prodhimin e një sërë produkteve të thjeshta, të këndshme dhe funksionale.

Në një intervistë për "Shekulli", Eli Zhulati pohon se shtysa e parë ka qenë ajo e ndikimit për një mjedis sa më të pastër, veçanërisht në Qendrën Historike të qytetit, por që ka zgjuar kërshërinë dhe interesin edhe prej vajzave të reja për ta mësuar.

Përse përdorni mbetje të riciklueshme për punimet tuaja?

Jam lindur dhe rritur këtu në Gjirokastër. Gjirokastra përveç shumë e shumë traditave, ka dhe një sa kryesore aq edhe karakterizuese, që është pastërtia. Idea për të përdorur objektet e riciklueshme më lindi thjesht nga qeset e shumta që shoh të hedhura nëpër rrugë e që ndotin ambientin, por dhe ato që përdor në shtëpi. Përdorimi dhe përftimi prej tyre m'u duk mjaft interesante, por njëkohësisht m'u desh edhe të mendoja rreth mënyrës sesi mund t'ia arrija. Duke ditur të punoj dhe duke vendosur në punë edhe fantazinë, arrita që një qese plastike, të cilën do ta hidhja poshtë e ktheva në fije dhe këto fije i përdora për të thurur diçka. Kjo ishte fillesa për përdorimin e qeseve plastike, që rëndom ndosin rrugën, lumin apo tejmbushin koshat e mbeturinave.

Tashmë që kjo ide është konkretizuar, si e shihni?

Përveçse për ta bërë diçka përdorimi i mbetjeve të riciklueshme është edhe një ndihmë për të pastruar qytetin. Nuk mund t'ia dal e vetme, por e kam filluar me ndihmën e mamasë, fqinjëve dhe gjithkënd që më rrethon. Do doja që kjo nismë të shërbente si sensibilizim për të ruajtur një nga traditat tona më të çmuara e në mënyrë të veçantë sensibilizimi të niste prej brezit të ri, nxënësve të arsimit 9- vjeçar. Aktualisht. jam duke ideuar diçka për vajza të vogla, që mund të shërbejnë për mbajtjen e bizhuve në kohën e plazhit, apo për mbajtjen e një bidoni me pije freskuese apo ujë. Domethënë gjëra të lehta e praktike, duke qenë se ideja kryesore ishte për një qytet të pastër.

Në punimet tuaja, përdorni vetëm qeset plastike apo edhe elementë të tjerë të riciklueshëm?

Përveç qeseve plastike, më lindi ideja për të bërë këmbëzat (në hyrje të banesës për të fshirë këpucët). Shkova te dyqani i shitjes së kafes dhe mora amballazhin e saj, duke qenë se është e riciklueshme dhe e realizova. Pra, mendova t'i sjell këto fije të përftuara nga riciklimi i këtyre mbetjeve në formën e një çante plazhi apo një këmbëze para derës dhe ia dola. Ky është një kontribut modest për një Gjirokastër të pastër, por kontributi modest I të gjithëve do të bëjë të mundur që të arrihet realisht.

Si janë pritur punimet tuaja të realizuara nga mbetjet e riciklueshme?

Pavarësisht se nga është marrë vesh fakti i prodhimit të çantave apo këmbëzave nga materiale të riciklueshme në fillim më i madh ka qenë kurioziteti, në lidhje me mënyrën e realizimit. Më tej ka lindur dëshira dhe kërkesa për të pasur një objekt të tillë por me kënaqësi kam vënë re se nuk ka munguar as ajo pjesa tjetër, kur zonja apo zonjusha kërkojnë të mësojnë sesi realizohet një produkt i tillë. Bazuar në këta tregues them se ka ngjallur interes.

(peshkupauje.com)

No comments:

Post a Comment